Zgjedhjet lokale jolegjitime, në Krimenë e pushtuar nga Rusia, kanë përfunduar më 8 shtator.
Ky proces votimi, që është dënuar prej Ukrainës, dhe nuk është njohur prej shumicës së vendeve në botë, pritet të çimentojë elitën lokale në pushtet, në këtë gadishull të aneksuar ilegalisht.
Prej 6 deri më 8 shtator, votuesit në Rusi kanë marrë pjesë në procesin zgjedhor për guvernatorët dhe ligjvënësit rajonalë të 83 rajoneve dhe qyteteve.
Zyrtarët në pushtet dhe besnikët e presidentit rus, Vladimir Putin, si dhe të partisë së tij, Rusia e Bashkuar, pritet të fitojnë në zgjedhjet tejet të kontrolluara, të cilat janë përcjellë me mungesë të konkurrencës politike, pas shumë vjetëve të shtypjes së zërave opozitarë, sidomos prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.
Situata nuk është aspak ndryshe në territoret që janë pushtuar ilegalisht në Ukrainë, përfshirë Krimenë, në të cilën do të emërohen anëtarët e Parlamentit të diktuar prej Rusisë, të legjislaturës së re komunale të qytetit të Sevastopolit, dhe këshillave lokalë.
Për dallim prej vitit 2014 dhe 2019, zgjedhjet këtë herë janë mbajtur në atmosferën e krijuar prej luftës së plotë.
“E veçanta e këtyre ‘zgjedhjeve’ është se ato po mbahen në kushte të luftës, pasi banorët e Krimesë po e ndiejnë atë në lëkurë: mobilizimi, arkivolet, shpërthimet dhe zjarri, llogore në plazhe dhe në shëtitore afër plazhit”, ka thënë shkencëtarja politike në Krime, Yevhenia Horyunova, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
“E gjithë kjo do të mund të ndikonte në rezultatin zgjedhor nëse do të kishte zgjedhje [të vërteta] në Rusi. Por, për shumë vjet tani, ato kanë qenë vetëm imitim zgjedhjesh, një lloj rituali për ta bërë legjitim liderin dhe partinë në pushtet”.
Sipas të dhënave zyrtare ruse, në Krime janë rreth 1.5 milion votues. Në atë shifër përfshihen edhe shtetasit ukrainas, të cilët janë detyruar të marrin pasaporta ruse pas vitit 2014, si dhe qindra mijëra rusë, që janë zhvendosur në këtë gadishull në 10 vjetët e fundit.
Ata kanë mundur të votojnë në 1.300 vendvotime tradicionale, në 150 qendra mobile të votimit, por edhe online. Katër qendra votimi janë krijuar edhe për ushtarët rusë në vijën e frontit.
Sipas ekspertëve, është pothuajse e mundshme që të kontrollohet procesi zgjedhor online, apo në qendrat mobile të votimit, çka rrit mundësitë për falsifikim.
‘Forcimi i klaneve’
Në qytetin e Sevastopolit, në të cilin gjenden shumë objekte ushtarake të shënjestruara rregullisht prej forcave ajrore ukrainase, përfshirë selinë e Flotës ruse në Detin e Zi, në qendrat e votimit ka pasur strehimore në rast të sulmeve me bomba, dhe votimet kanë nisur qysh prej 28 gushtit, për shkak të atyre që guvernatori i qytetit të pushtuar, Mikhail Razvozhayev, i ka përshkruar si “shqetësime për sigurinë”.
Qendra qeveritare e Ukrainës për Rezistencë Kombëtare, ka thënë se votimet e hershme, në qendra mobile dhe online, vetëm lehtësojnë mashtrimet dhe fshehin daljen e ulët në zgjedhje.
Përmes një raporti, organizata ka thënë se autoritetet pushtuese ruse, janë duke e rritur artificialisht daljen në zgjedhje, me ndihmën e forcave të sigurisë, si dhe duke i detyruar personat e zhvendosur përkohësisht prej Ukrainës në Krime, që të votojnë.
Legjislacioni zgjedhor i Krimesë është ndryshuar në maj, për të parandaluar në mënyrë efektive konkurrentët e mundshëm nga gara.
Prandaj, as nuk është pritur rezultat tjetër, pasi Putin ka shprehur mbështetje për Sergei Aksyonovin, udhëheqësin e Krimesë së pushtuar, i cili synon edhe një mandat pesëvjeçar.
“Elita rajonale as nuk duhet të bëjë ndonjë përpjekje që të mbetet në pushtet. Do ta ketë patjetër shumicën. Familjarët, partnerët biznesorë, dhe miqtë janë të përfshirë në listat zgjedhore për t’i forcuar klanet që janë bërë pjesë integrale e realitetit të Krimesë prej vitit 2014”, ka thënë Horyunova.
Lufta ka pasur ndikim të kufizuar edhe në përzgjedhjen e kandidatëve për trupat rajonale dhe lokale.
Në pranverë, Rusia e Bashkuar, parti e Putinit, pati planifikuar nominimin e “shumë heronjve të operacionit special ushtarak”, që do të thotë veteranët e luftës së Rusisë në Ukrainë, për pozita udhëheqëse.
"Të bindur ndaj interesave të Rusisë"
Në shumicën e rajoneve, përfshirë territoret e pushtuara, veteranët kanë humbur në fazën e parë të zgjedhjeve partiake.
Rast i rrallë është regjistruar kur ushtarët kanë kaluar procesin e përzgjedhjes në Sevastopol.
“Ka shumë mundësi që disa prej tyre do të zgjidhen për të forcuar mitin e qytetit për ‘lavdi ushtarake ruse’. Mirëpo, ata do të duhet të binden për gjithçka – duhet të votojnë për interesat e Rusisë së Bashkuar dhe ato të guvernatorit”, ka thënë Horyunova.
Sipas analistit politik ukrainas, Yevhen Savisko, udhëheqësia ruse ka qenë e vendosur që votimet në Krime të mbahen pa vonesa dhe pa incidente serioze.
“Fillimisht, Putin duhet t’i tregojë botës që askush në Krimenë e pushtuar përkohësisht nuk dëshiron të rikthehet me Ukrainën. E dyta, ai duhet t’i sigurojë zyrtarët lokalë që nuk do të mbeten mbrapa për aq kohë sa punojnë për Moskën. Dhe, e treta, duhet të dërgojë mesazh te popullsia provinciale e Rusisë se ‘sa të fuqishëm jemi’”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.
Ministria e Jashtme e Ukrainës e ka dënuar procesin e votimit në Krimenë e pushtuar, duke thënë se kjo procedurë përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar.
“E theksojmë edhe një herë që rezultatet e të ashtuquajturave ‘zgjedhje’ në territoret e pushtuara përkohësisht në Krime, nuk kanë asnjë vlerë dhe vetë ‘zgjedhjet’ janë jolegjitime”, ka thënë ministria.
Sipas saj, të gjithë ata që janë përfshirë në “përgatitjet dhe mbajtjen e të ashtuquajturave ‘zgjedhje”, do të ndiqen penalisht.