Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës (IKSHPK) tha të enjten se në vend nuk ka asnjë rast me linë e majmunëve dhe as vend për panik, pasi një ditë më parë Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e shpalli atë si emergjencë globale për shëndetin publik.
Megjithatë, IKSHPK-ja u bëri thirrje qytetarëve të bëjnë kujdes dhe të lajmërohen menjëherë te mjeku nëse kanë simptoma të kësaj sëmundjeje.
Kjo është hera e dytë që lija e majmunëve, e njohur si mpox, shpallet emergjencë globale nga OBSH-ja.
“MSH/IKSHPK njofton qytetarët e Republikës së Kosovës, se po e përcjell me vëmendje epidemiologjinë e mpox që nga paraqitja e rasteve të para sivjet në kontinentin e Afrikës. Jemi në komunikim të vazhdueshëm me OBSH-në dhe ECDC-në, për vlerësimin e rrezikshmërisë dhe rekomandimeve për masat që duhet ndërmarrë për sëmundjen në fjalë”, tha IKSHPK-ja në një njoftim në Facebook.
SHIKONI EDHE: OBSH shpall sërish linë e majmunëve si emergjencë globale për shëndetin publikAjo tha se në laboratorët e vet i ka në dispozicion reagensët për testimin e rasteve të dyshimta me linë e majmunëve.
“Profesionistët shëndetësor rekomandohet të rrisin vëmendjen për simptomat e sëmundjes, ndërsa qytetarët këshillohen që të lajmërohen te mjeku nëse kanë dyshime apo simptoma të sëmundjes”, thuhet në njoftim.
Lia e majmunëve përhapet përmes kontaktit të ngushtë.
Zakonisht përcillet me simptoma të buta, por në disa raste virusi mund të jetë fatal për njeriun.
Virusi përcillet me simptoma sikurse ato të gripit, si dhe me puçrra të mbushura me qelb nëpër trup.
Shpallja e një sëmundjeje si emergjencë globale për shëndetin publik, nënkupton që mund të ndahen më shumë fonde dhe të merren masa në nivel global për të parandaluar përhapjen virusit.
Qendra për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve në Afrikë ka thënë se vetëm këtë vit kontinenti i ka regjistruar 17.000 raste të infektimit me linë e majmunëve, dhe 517 vdekje.
Deri më tani, 17 shtete kanë raportuar raste të infektimit me këtë virus.