Më shumë se 58 për qind e të rinjve synojnë të largohen nga vendi nëse do t’u jepej ndonjë mundësi, tregojnë të dhënat e dala nga një analizë e realizuar nga organizata joqeveritare Forumi Rinor Arsimor, në gusht të vitit të kaluar. Ndërkaq, vetëm 6.9 për qind e tyre pas një kohe planifikojnë që të kthehen, përderisa për pjesën tjetër largimi do të ishte i përhershëm.
Një nga ata që të ardhmen e sheh në vendet perëndimore është dhe Hristina Ristevska nga Prilepi, e cila studion Informatikë, në një universitet në Shkup.
Hristina është e vetëdijshme se me profesionin që ka zgjedhur, si inxhiniere e Teknologjisë Informative, nuk do ta ketë tëvështirë të gjejë punë në Maqedoninë e Veriut, ose të punojë për ndonjë kompani të huaj në vend, por shton se do të shkonte në ndonjë vend të Bashkimit Evropian nëse do t’i jepej mundësia pasi, siç thotë, dëshiron të jetojë një jetë kualitative.
“Vlerësoj se kushtet janë shumë më të mira jashtë (vendit ) si në aspektin e financiar, por edhe kushtet që ofrohen për ndërtimin e familjes. Mendoj se shumë më mirë është jashtë vendit sesa këtu. E them këtë duke marrë parasysh arsimin - nesër kur të kem fëmijë - por edhe kualitetin e jetës në përgjithësi”, Ristevska.
Nga ana tjetër, Liridona Ramadani nga Kumanova, e diplomuar në Fakultetin Juridik, e cila nuk ka arritur të gjejë punë si juriste për më shumë se pesë vjet pas diplomimit, ka vendosur të largohet nga vendi.
SHIKONI EDHE: Të rinjtë në udhëkryq pas diplomimitPër ta pasur më të lehtë punësimin, pasi ka parë që më së shumti kërkohet puna si infermiere, është riregjistruar shkollën e mesme të mjekësisë për t`iu nënshtruar provimeve plotësuese ndonëse ky rrugëtim për të ka qenë i vështirë pasi njëkohësisht është kujdesur edhe për vajzën e saj të vogël.
“Arsyeja ime që të largohem nga Maqedonia e Veriut është ajo se si re, e diplomuar, nuk shihja asnjë perspektivë, e para për veten që të siguroj një vend pune. Njëherësh shërbimet shëndetësore në bazë të pikëpamjeve të mia janë në nivel shumë të ulët dhe po ashtu cilësia e jetesës është nën çdo nivel nëse dëshiron të ngresh një të ardhme pa ndihmën e të tjerëve. Një herë shkoi bashkëshorti, tani i jemi bashkuar me vajzën. Jam në kurs intensiv të mësimit të gjuhës gjermane që të kyçem në punë si infermiere”, thotë Liridona Ramadani, e cila tashmë gjashtë muaj jeton në Gjermani.
Gabim në server
Ka një problem në server. Ekipi ynë po merret me të. Ju kërkojmë ndjesë!
Ju lutemi përdoreni opsionin e kërkimit për të parë nëse gjendet diku tjetër në web
Shkollimi si biletë për të mbetur në vendet e BE-së
Për t’u larguar nga Maqedonia e Veriut të rinjtë përdorin kanale të ndryshme, përfshirë këtu njohjet dhe familjarët që kanë jashtë vendit, mundësit për shkollim jashtë vendit po ka dhe një numër të madh që largohet nga vendi përmes sigurimit të pasaportës bullgare.
Bllazhen Malevski nga organizata joqeveritare Reaktor, thotë se liberalizimi i vizave, mundësia për t’u shkolluar jashtë vendit dhe ajo se çdokush tashmë ka një të njohur, e bën më të letë largimin e të rinjve nga Maqedonia e Veriut.
“Shohim se është rritur numri i kompanive që u ofrojnë të rinjve riedukim dhe me këtë ua hapin dyert për të mbetur në ato vende. Por, ka një numër të madh të shtetasve të Maqedonisë, të cilët tashmë kanë hapur biznese në ndërtimtari apo hotelieri dhe përmes komunikimit në rrjetet sociale dhe bisedave me të afërmit, ata i tërheqin të rinjtë nga vendi për të punuar në vendet e Bashkimit Evropian”, thotë Bllazhevski.
Në mars dihet numri i të rinjve që lanë Maqedoninë e Veriut
Në mars, kur pritet të bëhen të ditura rezultatet e regjistrimit të popullsisë, i cili u realizua vjeshtën e vitit të kaluar pas 19 vjetëve, do të krijohet një pasqyrë reale për sa i përket numrit të qytetarëve që janë larguar nga vendi.
Apostoll Simovski, drejtor i Entit Shtetëror të Statistikave thotë se migracioni i një pjese të madhe të qytetarëve të vendit ka krijuar një vrimë të madhe demografike në shumë pjesë të Maqedonisë së Veriut.
Sipas Entit Shtetëror të Statistikave, deri para regjistrimit të fundit ishin të evidentuar 2 milionë e 430 mijë persona, përderisa në regjistrimin e fundit janë përfshirë vetëm 1 milion e 840 mijë persona.
SHIKONI EDHE: Afaristët në Maqedoninë e Veriut të shqetësuar nga ikja e kuadrove në Gjermani“Humbja është e dyfishtë nga migrimi, e para pasi këta persona largohen dhe më nuk kontribuojnë për shtetin dhe e dyta humbet potenciali i natalitetit. Pjesa më e madhe e mërgimtarëve janë të rinj që me vete marrin dhe shtimin e popullsisë dhe kjo ndikon në strukturën e popullsisë duke rritur shkallën e vjetërsisë”, vlerëson Simovski duke shtuar se largimi i të rinjve, veçanërisht në disa qytete në lindje të Maqedonisë ka zbrazur bankat e shkollave.
Në bazë të të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave çdo i treti i ri është i papunë. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, në katërmujorin e tretë të vitit të kaluar janë regjistruar 150 mijë persona të papunë, prej të cilëve 49 mijë e 955 i takojnë moshës nga 15 deri 29-vjeçare.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut nëpërmjet shumë programeve ka synuar t’i mbajë të rinjtë në vend duke u ndarë mjete të pakthyeshme për ata të cilët hapin biznese ose për kompanitë që i punësojnë të rinjtë.