Ikja e stafit mjekësor po paraqitet si një problematikë dhe shqetësim në Kosovë këto dy vjetët e fundit. Arsyet e ikjes së këtij stafi, kryesisht drejt vendeve të Bashkimit Evropian, ku prin Gjermania si destinacion, ndërlidhen me pagat dhe kushtet më të mira për punë.
Gjatë këtij viti, nëntë punëtorë shëndetësorë, dy mjekë e shtatë infermierë, vetëm nga Qendrat e Mjekësisë Familjare në Komunën e Prishtinës, e kanë lëshuar punën, për të ikur në vendet e Bashkimit Evropian, apo më konkretisht në Gjermani.
Ndonëse një mjek familjar është i paraparë për dy mijë pacientë, kjo nuk po mund të zbatohet për shkak të mungesës së stafit. Këta mjekë janë shumë më të ngarkuar me punë, si rrjedhojë e mungesës së stafit shëndetësor.
Sipas zyrtarëve shëndetësorë, janë mbi dy milionë shërbime mjekësore që kryhen brenda një viti në Qendrat e Mjekësisë Familjare, vetëm në Komunën e Prishtinës.
Ndryshe, mbi pesë mijë shërbime marrin pacientët brenda 24 orëve në gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare në gjithë Komunën e Prishtinës.
Sami Uka, kryeshef në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, i tha Radios Evropa e Lirë se është shqetësues fakti që mjekët po ikin, përfshi edhe mjekët familjarë, por vendet e tyre nuk po plotësohen. Po ashtu, nënvizon ai, numri i mjekëve familjarë, por edhe infermierëve nuk është rritur që nga paslufta, derisa numri i banorëve në Prishtinë është shumëfishuar.
“Qendrat e Mjekësisë Familjare normal që e kanë ndierë këtë fluks të ikjes së punëtorëve shëndetësorë, kryesisht në drejtim të Gjermanisë. Kemi pasur kërkesa për mjekë e infermierë që të lirohen nga puna, për të ikur atje”, tha Uka.
“Trendi edhe për neve, por edhe për gjithë ata që marrin vesh në zhvillimet shëndetësore kosovare është shqetësues. Ne kemi mungesë, por ka edhe mjekë familjar të papunë. Aktualisht ka mungesë stafi edhe pa ikjen e këtyre të fundit, por që numri i mjekëve specialistë, por edhe infermierëve nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare nuk është rritur kohë të gjatë”, tha tutje Uka.
SHIKONI EDHE: Sistemi i ‘sëmurë’ i shëndetësisë në KosovëNdërkaq, Besim Kodra i cili udhëheq Asociacionin e të Drejtave të Pacientëve, i tha Radios Evropa e Lirë se cilësia e shërbimeve shëndetësore në Qendrat e Mjekësisë Familjare, ashtu sikurse edhe në gjithë sistemin shëndetësor kosovar, nuk është në nivel të kënaqshëm.
Megjithatë, ai potencon faktin se nga ana e pacientëve marrin ankesa më pak nga Qendrat e Mjekësisë Familjare sesa nga qendra shëndetësore dytësore dhe tretësore.
“Qendrat e Mjekësisë Familjare kanë nevojë për më shumë mjekë familjarë. Kjo pasi që një mjek familjar është i paraparë për dy mijë deri në dy mijë e 500 banorë. Andaj duhet ende specializime për mjekë familjarë”.
“Ndërkaq, sa i përket ankesave nga pacientët për shërbime, kryesisht kanë të bëjnë me mungesë të barnave të listës esenciale, por edhe për mungesë stafi, por rrallë herë edhe për sjellje të mjekëve. Megjithatë aty nuk ka shërbime kirurgjike, janë shërbime më të lehta dhe mendoj se ankesat më të mëdha nga ana e pacientëve i kemi nga Qendra Klinike Universitare, por edhe spitalet rajonale e më pak për Qendrat e Mjekësisë Familjare”, tha Kodra.
Ndryshe, në Qendrat e Mjekësisë Familjare, sipas një pilot-projekti që po zbatohet aktualisht, pacientët mund të bëjnë vizita mjekësore vetëm pasi t’i kenë caktuar ato paraprakisht. Sipas mjekëve familjarë, kjo nuk vlen për rastet emergjente.
SHIKONI EDHE: Rregulla të reja për vizita mjekësoreSipas të dhënave që i ka prezantuar Federata Sindikale e Shëndetësisë për numrin e mjekëve specialistë që kanë ikur nga Kosova, që nga hulumtimi i fundit i bërë në Kosovë, ka qenë mbi 400.