Palestinezët ikin nga shtëpitë pas paralajmërimit të ushtrisë izraelite

Palestinezët duke mbajtur disa gjëra në duar shihen duke u larguar drejt zonave më të sigurta në qytetin e Gazës pas sulmeve ajrore izraelite, më 13 tetor 2023. 

Izraeli ka bërë thirrje për zhvendosjen e menjëhershme të 1.1 milion njerëzve në Gaza brenda 24 orëve mes bombardimeve masive të saj si përgjigje ndaj sulmeve të paprecedent të militantëve të Hamasit, me gjithë paralajmërimin e Kombeve të Bashkuara për pasoja "shkatërruese".

Gra palestineze me fëmijë e të ngarkuara me gjësende teksa ikin nga zona si pasojë e një sulmi ajror izraelit në Rafah, në Rripin jugor të Gazës, më 13 tetor 2023.

Izraeli ka disa ditë që po e përgatit një ofensivë tokësore, pasi ka mbledhur ushtarë, artileri të rëndë dhe tanke në kufirin me Gazën.

Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarriq, tha se “është e pamundur që një zhvendosje e tillë të bëhet pa pasoja të tmerrshme humanitare”.

Ky evakuim është për sigurinë tuaj”, tha ushtria e Izraelit, duke i paralajmëruar civilët e Qytetit të Gazës, të premten në mëngjes.

OKB-ja tha se e mori një udhëzim të ndarë nga Ushtria e Izraelit pak para mesnatës të enjten, sipas të cilit 1.1 milion civilët që jetojnë në veri të Gazës kanë 24 orë kohë për t’u zhvendosur në jug të vendit.

“Ky është kaos, askush nuk e di çfarë të bëjë”, tha Inas Hamdan, një zyrtare e OKB-së për agjencinë e refugjatëve palestinezë në Qytetin Gaza duke  shtuar se i gjithë stafi i OKB-së dhe Gaza veriore janë urdhëruar të zhvendosen në jug të qytetit Rafah.

Nebal Farsakh, zëdhënëse e Kryqit të Kuq palestinez në Qytetin Gaza, tha se nuk ka shanse që më shumë se një milion njerëz të zhvendosen në mënyrë të sigurt për kohë kaq të shkurtër

“Harrojeni ushqimin, harrojeni rrymën dhe karburantin. Shqetësimi i vetëm tani është nëse ia del, nëse do të jetosh”, tha Farsakh, duke shpërthyer në lot.

“Çfarë do të ndodhë me pacientët tanë? Kemi të plagosur, kemi të moshuar dhe fëmijë të cilët janë në spital”, pyeti ajo.

Një fëmijë me dy qese në duar shikon prapa teksa ecë në një rrugë.

Gaza është plotësisht e rrethuar dhe e bllokuar nga Izraeli, i cili ka thënë se rrethimi nuk do të përfundojë derisa Hamasi t’i lirojë të gjitha pengjet

Agjencitë humanitare kanë paralajmëruar se Gaza po përballet me gjendje të jashtëzakonshme, pasi ushqimi dhe uji po mbarojnë dhe më shumë se 50.000 gra shtatzëna nuk kanë qasje në shërbime themelore.

Më shumë se 1.400 njerëz janë vrarë në Gaza qëkur Izraeli i nisi bombardimet hakmarrëse, sipas zyrtarëve palestinezë.

Palestinezët që jetojnë në veri të Qytetit të Gazës, kanë nisur të largohen nga shtëpitë e tyre drejt jugut të Rripit të Gazës pas thirrjes së ushtrisë izraelite për zhvendosje brenda 24 orëve. (Përgatiti: Syzanë Paçarizi)