Hill: SHBA-ja nuk sheh prova që e lidhin Beogradin me sulmin në Ibër-Lepenc

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, tha SHBA-ja "nuk sheh asnjë provë që do të çonte në Beograd" kur bëhet fjalë për atë se kush qëndron pas sulmit në kanalin e furnizimit me ujë, Ibër-Lepenc, në veri të Kosovës.

"Ne sigurisht nuk shohim asnjë provë që do të çonte në Beograd, por dikush e bëri atë dhe duhet të kryhet një hetim i plotë", tha Hill në një intervistë për televizionin publik të Serbisë, RTS.

SHIKONI EDHE: Sulm, faj, akuza: Thirrje për hetime të pavarura në Ibër-Lepenc

Në veri të Kosovës të banuar me shumicë serbe, në Zubin Potok, më 29 nëntor ka ndodhur një shpërthim, i cili ka dëmtuar kanalin e Ibër-Lepencit, i cili furnizon me ujë disa qytete, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termocentraleve.

Hill shtoi se është mirë që Byroja Federale e Hetimeve e SHBA-së (FBI) po e mbështet hetimin dhe se kjo flet për mungesën e besimit dhe një “prirje drejt akuzave të ndërsjella”.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se sulmi është kryer me deri në 20 kilogramë eksploziv.

Kosova fajësoi Serbinë për këtë sulm, por Beogradi zyrtar e hodhi poshtë një gjë të tillë.

Në ditët pas sulmit, autoritetet e Kosovës kryen disa aksione në veri, gjatë së cilave konfiskuan armë, municione e pajisje të tjera ushtarake. Nga dhjetë të shoqëruar në polici si të dyshuar për përfshirje në sulm, dy u dërguan në paraburgim për një muaj.

Për autoritetet e Kosovës ky ka qenë sulmi më i rëndë në infrastrukturën kritike të vendit që nga lufta e viteve 1998/'99, dhe që dëmet shkojnë në rreth 400.000 euro.

Sulmi u dënua ashpër nga SHBA-ja dhe shtete të Bashkimit Evropian.

SHIKONI EDHE: Hovenier: Agjentë të FBI-së janë angazhuar në hetimet pas sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit

Nuk ka paralajmërime për sanksione ndaj industrisë së naftës së Serbisë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, deklaroi se nuk ka ndonjë paralajmërim për vendosjen e sanksioneve ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS) për shkak të pronësisë ruse.

Ai tha për RTS-në se ekziston shqetësimi nëse NIS, në duart e rusëve, në ndonjë mënyrë ndihmon financimin e luftës në Ukrainë dhe se këto janë çështje legjitime që duhet të shqyrtohen me kujdes.

"Mund t'ju them se, që kur rusët e blenë NIS-in, ka pasur një shqetësim të madh në lidhje me këtë, pasi është e vetmja rafineri në Serbi dhe që prej kohës kur është nën pronësinë shumicë të rusëve, kjo ka shqetësuar shumë njerëz për vite me radhë. Ky shqetësim është bërë edhe më i madh për shkak të faktit se Rusia vazhdon të zhvillojë një luftë barbare kundër Ukrainës", tha Hill.

NIS-i është që nga viti 2008 në pronësi shumicë të kompanisë shtetërore ruse Gazprom Neft, dhe kompanisë amë të saj, Gazprom.

SHIKONI EDHE: Skenarët e mundshëm nëse SHBA-ja i vë sanksione industrisë serbe të naftës

Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja e kanë vendosur Gazprom Neft-in në listën e zezë që nga viti 2014, pas aneksimit rus të gadishullit ukrainas të Krimesë.

"Do të shohim se cili do të jetë rezultati. Dua t'ju siguroj se, në asnjë mënyrë, vendimi përfundimtar nuk do të ndikojë në ekonominë serbe", shtoi Hill.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 13 dhjetor se SHBA-ja planifikojnë të vendosë sanksione kundër NIS-it për shkak të pronësisë ruse dhe se këtyre sanksioneve do t’u bashkohet edhe Mbretëria e Bashkuar.

Një ditë më vonë, Vuçiq tha se ende nuk ka parë një dokument zyrtar për vendosjen e sanksioneve nga SHBA-ja kundër NIS-it, por se ekziston "një lloj konfirmimi zyrtar" që vendimi do të hyjë në fuqi më 1 janar për shkak të pronësisë ruse.

Departamenti i Shtetit më 16 dhjetor, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, deklaroi se Shtetet e Bashkuara nuk publikojnë veprime të lidhura me sanksionet.

Në përgjigje thuhet se SHBA-ja "mbetet e përkushtuar për të penguar të ardhurat dhe rrjetet e furnizimit dhe financimit të Rusisë që përdoren për të mbështetur luftën e saj kundër Ukrainës".

Beogradi, që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, refuzon t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës dhe vazhdon t’i ruajë lidhjet me zyrtarët në Kremlin.

Serbia është kryesisht e varur nga Rusia në sektorin energjetik, megjithëse ka nisur diversifikimin e rrugëve dhe burimeve për furnizimin me gaz.