I nxehti ekstrem keqëson thatësirën në SHBA
Tetëdhjetë e tetë për qind e Perëndimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte në gjendje thatësire ditët e fundit, përfshirë krejt shtetet e Kalifornisë, Oregonit, Jutas dhe Nevadës, sipas të dhënave zyrtare.
Një simptomë veçanërisht e ashpër e këtij trendi, i cili po prek më shumë se 143 milionë amerikanë, po shfaqet te Liqeni Mid – rezervuari më i madh i vendit, në kufirin mes Nevadës dhe Arizonës – i cili tani ndodhet në nivelin më të ulët që nga krijimi i tij në vitet e 1930-ta.
As situata në veriun e Kalifornisë, ku ka reshje të bollshme në dimër dhe në pranverë, nuk është më e mirë.
Niveli i ujit në Liqenin e Orovillit, rezervuari i dytë më i madh i shtetit, dhe pjesë kyç e një rrjeti që i mundëson ujë të pijshëm 27 milionë kalifornianëve, ka rënë për 50 metra, në krahasim me vitin 2019.
Kufizimet e gjera në përdorimin e ujit duken të pashmangshme gjatë muajve të ardhshëm, me pasoja që mund të rezultojnë serioze për shtetet perëndimore – veçanërisht për bujqit që varen nga ujitja – të cilat mundësojnë shumicën e frutave dhe perimeve për mbarë vendin.
Sipas Monitoruesit të Thatësirës së SHBA-së, një e treta e Kalifornisë aktualisht po përjeton “thatësirë të jashtëzakonshme”, nivelin më të keq.
Tokat e thata dhe bimësia me mungesë uji krijojnë kushte për temperatura edhe më të larta, duke i kontribuuar ashpërsimit të situatës së përgjithshme.
Pjesa jugperëndimore e SHBA-së po përgatitet për një valë të të nxehtit ekstrem gjatë ditëve të ardhshme, dhe për temperatura mbi 11 gradë Celsius më të larta sesa normat sezonale. Në disa zona priten temperatura maksimale mbi 50 gradë.
Kushtet e tilla janë “të rralla, të rrezikshme dhe vdekjeprurëse”, sipas Shërbimit Kombëtar të Meteorologjisë.