I dyshuari për vrasjen e një gruaje shtatzënë, më 30 nëntor në Prishtinë, bëri vetëvrasje, njoftoi ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.
Përmes një postimi në Facebook më 2 dhjetor, Sveçla tha se "përkundër tentativës së zyrtarëve policorë që të negociojnë dorëzimin, dorasi vrau veten".
I identifikuar më herët nga Policia e Kosovës si Sokol Halili, ai ishte i dyshuari kryesor për vrasjen e gruas së tij, Hamide Magashi, 35 vjeçe.
Krimi ndodhi dy ditë më parë në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku Magashi ishte e shtrirë në pritje të lindjes së fëmijës.
Halili ishte në arrati që nga ajo ditë.
Policia e Kosovës tha se ai është gjetur në fshatin Davidovc të Komunës së Shtimes, të premten rreth orës 13:45.
Sipas disa raportimeve në media, Halili ka qenë banor i kësaj komune.
SHIKONI EDHE: Deri ku kanë mbërritur rastet gjyqësore të grave të vrara?Autoritetet konfirmuan se Magashi, tashmë e ndjerë, e kishte denoncuar bashkëshortin në polici për dhunë ndaj saj dhe se gjykata kishte lëshuar urdhër mbrojtjeje prej tij.
Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, e konsideroi si "papërgjegjësi institucionale" rastin e vrasjes së Hamide Magashit dhe paralajmëroi dorëheqje dhe shkarkime "sapo të verifikohet dështimi institicional".
Qindra qytetarë protestuan mbrëmjen e 1 dhjetorit në Prishtinë, duke kërkuar drejtësi për të dhe për rastet e dhjetëra grave të tjera të vrara në Kosovë.
Sipas të dhënave të policisë dhe të organizatës Rrjeti i Grave të Kosovës, në 12 vjetët e fundit u vranë 50 gra.
Të dyshuar ose të dënuar për vrasjen e tyre janë familjarët - kryesisht bashkëshortët.
Your browser doesn’t support HTML5