Parlamenti i Hungarisë ka miratuar një rezolutë e cila e autorizon Qeverinë që të mbajë një referendum kombëtar mbi çështjet e komunitetit LGBT, duke thelluar edhe më tej mospajtimet mes partisë së krahut të djathtë, që është në pushtet, dhe Bashkimit Evropian dhe aktivistëve, që i kanë cilësuar si diskriminuese disa ligje që Hungaria miratoi më herët gjatë këtij viti.
Ligjvënësit nga partia Fidesz e kryeministrit hungarez, Viktor Orban më 30 nëntor miratuan katër pyetjet e referendumit që kanë të bëjnë me programet e edukimit seksual në shkolla dhe prezantimit të përmbajtjes seksuale në media.
“Qeveria hungareze propozon që qytetarët duhet të kenë shansin të shprehin qëndrimin e tyre lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me propagandën gjinore”, tha në parlament zëvendësministri, Balazs Orban.
“Ne jemi të përkushtuar. Ne besojmë se... ne duhet t’i themi jo propagandës LGBT në shkolla, që bëhet me ndihmën e organizatave joqeveritare dhe mediave, pa pëlqimin e prindërve”, shtoi ai.
SHIKONI EDHE: Hyn në fuqi ligji “anti-LGBT” në Hungari, BE e kritikonOrban ka shtyrë përpara mbajtjen e referendumit, pasi Qeveria hungareze ka miratuar një sërë ligjesh në muajin qershor, të cilat, Komisioni Evropian dhe pjesëtarët e komunitetit LGBT i kanë parë si sulm ndaj të drejtave të anëtarëve të këtij komuniteti, pasi kanë argumentuar se këto ligje stigmatizojnë minoritetet seksuale dhe mbysin debatet mbi orientimin seksual.
Ligjet, që i janë shtuar legjislacionit që ashpërson dënimet për krimet e pedofilisë, vendosin kufizime mbi mësimet në shkolla për homoseksualët dhe transgjinorët, por edhe për përmbajtjen që mediat mund të publikojnë për komunitetin LGBT.
Orbani thotë se masat e lidhura me çështjet e komunitetit LGBT kanë për qëllim të mbrojnë fëmijët dhe familjet dhe nuk kanë për cak të rriturit.
SHIKONI EDHE: Parada e Krenarisë si sfidë për OrbaninKomisioni Evropian ka nisur dy procedura të ndara ligjore kundër Qeverisë hungareze, për siç ka thënë, shkeljen e të drejtave të komunitetit LGBT.
Në referendum qytetarët do të pyeten nëse mbështesin që të miturit në shkollat publike, pa pëlqimin e prindërve, të mësojnë për orientimin seksual si dhe nëse e mbështesin “promovimin” e ndryshimit të gjinisë për të miturit.
Votuesit po ashtu do të pyeten nëse mbështesin “përmbajtje të pacensuruar të publikuar në media, që kanë audiencë të miturit, që mund të ndikojnë në zhvillimin e tyre” si dhe a e mbështesin “përmbajtjen e ndjeshme mediale rreth gjinisë”.
Sipas votimit në Parlament, referendumi mund të mbahet bashkë me zgjedhjet e përgjithshme, që janë caktuar të mbahen në pranverë, në të cilat Orban dhe partia e tij, Fidesz pritet që të përballen me garë të ashpër për herë të parë në pothuajse një dekadë.
Qeveria ka argumentuar se mbajtja e referendumit në ditën e njëjtë me zgjedhjet do të bëjë që të kursehen para, por kritikët thonë se një gjë e tillë bëhet për të nxitur bazën konservatore të Orbanit që të votojë në referendum.
Kritikët thonë se Fidesz ka rritur fushatën e saj kundër LGBT-së si pjesë e një fushate që ta portretizojë veten si mbrojtës të vlerave të krishtera kundër liberalizmit perëndimor. Këtu përfshihet edhe bllokimi i migrantëve që të kalojnë transit nëpër Hungari dhe mbylljen e mediat private liberale.