Hungaria i jep leje kompanisë ruse për ndërtimin e reaktorëve bërthamorë

Centrali bërthamor hungarez në Paks. Fotografi nga arkivi.

Hungaria ka lëshuar leje për ndërtimin e dy reaktorëve të rinj bërthamor nga kompania shtetërore ruse, Rosatom.

Kjo leje i hap rrugë zgjerimit të centralit bërthamor në Paks, që deri më tani kishte katër reaktorë. Projekti i ndërtimit të dy reaktorëve pritet të kushtojë rreth 12.4 miliardë dollarë dhe do të dyfishojë kapacitetet e centralit.

“Ky është një hap i madh dhe një arritje e rëndësishme”, tha ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto më 26 gusht, pak pasi rregullatori kombëtar publikoi lejen. “Tani mund të kalojmë nga faza e planifikimit, në atë të ndërtimit”.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka mbajtur lidhje të ngushta me Moskën pavarësisht sanksioneve ndëshkuese që Bashkimi Evropian ka vendosur ndaj Moskës pas pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.

Rusia do të financojë pjesën më të madhe të projektit përmes një kredie prej 10 miliardë dollarësh dhe Hungaria do të paguajë 2.5 miliardë dollarët e mbetur.

SHIKONI EDHE: Pse Evropës po i shtrenjtohet energjia?

Ndërtesa në Paks, që është centrali i vetëm bërthamor i Hungarisë, ishte ndërtuar në vitet '80 duke përdorur teknologji sovjetike. Szijjarto tha se dy rektorët e rinj do të funksionalizohen më 2030 dhe se ndërtimi i tyre do të mbrojë Hungarinë nga “luhatjet e mëdha të çmimeve të energjisë”.

BE-ja, që po përballet me çmime rekorde të elektricitetit dhe gazit natyror, së fundmi ka prezantuar një plan që inkurajon shtetet anëtare të heqin dorë nga energjia ruse. Hungaria, që varet shumë nga importet e gazit natyror rus, ka marrë përjashtim nga blloku me qëllim që të mbajë nivele të larta të importit.

Kompania Rosatom nuk është pjesë e sanksioneve që Perëndimi ka vendosur ndaj Rusisë, pavarësisht thirrjeve nga aktivistët ukrainas dhe organizatat joqeveritare që ky gjigant i energjisë bërthamore të futet në listë të zezë.

Në maj, shteti anëtar i BE-së, Finlanda, anuloi planet për ndërtimin e një centrali bërthamor që do të përdorte teknologji ruse. Finlanda anuloi këtë projekt për shkak të nisjes së pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt.

Në mars, kompania çeke e energjisë, CEZ, hapi një tender të ri për ndërtimin e centralit bërthamor pasi Rosatom dhe një kompani kineze nuk u lejuan të merrnin pjesë në projekt.