Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, ka udhëtuar të hënën në Rusi për të marrë pjesë në një forum ndërkombëtar për energji bërthamore, duke vënë në pah lidhjet e ngushta me Moskën, pavarësisht luftës së Rusisë në Ukrainë.
Sipas faqes së ministrisë, Szijjarto e ka mbajtur një fjalim në nisje të forumit ndërkombëtar ATOMEXPO në Soçi të Detit të Zi.
Ky forum, i quajtur “Pranvera bërthamore” shërben si “platformë biznesore për të diskutuar rreth industrisë bërthamore dhe përcaktimit të trendeve në të ardhmen”, është thënë në faqen zyrtare të tij.
Szijjarto ka thënë se gjatë vizitës së tij do të takohet me udhëheqësin e kompanisë shtetërore të Rusisë për energji atomike, Rosatom, për të diskutuar rritjen e numrit të centraleve bërthamore në Hungari.
SHIKONI EDHE: Ku e gjen Rusia shpëtimin?Ai ka thënë se projekti “është pjesë e strategjisë kombëtare të Hungarisë dhe pjesë e interesave të saj për siguri kombëtare”.
“Kriza globale e energjisë nënkupton se për një shtet është shumë e rëndësishme të mund të prodhojë energjinë që i duhet”, ka thënë Szijjarto.
Ky udhëtim shënon vazhdimësi të marrëdhënieve diplomatike mes Rusisë dhe Hungarisë.
Szijjarto ka qenë në Rusi edhe në muajin tetor, për të diskutuar për gazin natyror.
Ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavsky, e pati quajtur këtë vizitë si “skandaloze”.
Edhe kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka lobuar disa herë kundër sanksioneve që Perëndimi i ka vënë Rusisë për luftën e nisur në Ukrainë.
SHIKONI EDHE: Orban: Sanksionet e BE-së ndaj Rusisë kanë "dështuar"Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.