Rusia duket se ofron shërbime konsullore në qytetin turistik Varna në Detin e Zi, pavarësisht se Sofja ka dëbuar diplomatët rusë më 2022 dhe një vit më vonë e ka mbyllur Konsullatën ruse, gjeti një hulumtim i kryer nga Shërbimi Bullgar i Radios Evropa e Lirë.
Përderisa autoritetet bullgare thanë se nuk kanë informacione se po zhvillohen aktivitete diplomatike, grupet në gjuhën ruse në WhatsApp dhe Facebook po reklamojnë shërbimet konsullore që po kryhen në selinë lokale të Partisë Socialiste Bullgare (BSP), subjekt pro Kremlinit.
Marina Nacheva, një grua e listuar në disa grupe si kontakt për këtë konsullatë, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se shërbimet konsullore ofrohen në zyrat e BSP-së në adresën rruga Maqedonia, numër 33, në Varna. Kjo ndërtesë gjendet rreth 400 metra larg nga objekti i ish-Konsullatës ruse, në rrugën Maqedonia, numër 53.
Shumica e stafit të ish-Konsullatës ruse në Varna, një qytet mjaft i popullarizuar për pushuesit rusë, u dëbuan nga Bullgaria së bashku me diplomatët në Ambasadën ruse që gjendej në kryeqytetin bullgar, Sofje, në qershor të vitit 2022. Në përgjithësi, Qeveria e kryeministrit të atëhershëm, Kiril Petkov, urdhëroi dëbimin e 70 anëtarëve të stafit diplomatik rus, duke thënë se ata po punonin kundër interesave të Sofjes. Në tetor të vitit 2023, Konsullata ruse në Varna u mbyll përfundimisht pasi skadoi qiraja e saj për objektin.
Masat ndëshkuese të ndërmarra nga Petkov u morën në mes të një vale të vendimeve të ngjashme të ndërmarra nga kryeqytete të tjera të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, me synimin që Rusia të ndëshkohet për nisjen e pushtimit të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Një gazetar i Radios Evropa e Lirë së voni ka vizituar vilën në rrugën Maqedonia, numër 33, që gjendet në një lagje të gjelbëruar në qytetin turistik në Detin e Zi. Një grua u përgjigj te dera dhe tha se punonte aty. Ajo i tha Radios Evropa e Lirë se “asnjë shërbim konsullor nuk ofrohet këtu”.
Megjithatë, njerëzit që kanë publikuar informacione në grupet në Facebook, të cilat i ka monitoruar Radio Evropa e Lirë, dëshmojnë të kundërtën. Postimet në këto faqe në Facebook lënë të kuptohet se shërbime ofrohen ende në Varna, por vetëm në ditë dhe orë të caktuara. Një datë për shërbime të tilla ishte listuar të jetë 26 nëntori.
Kontakti konsullor
Në një nga këto grupe në Facebook të rusishtfolësve në Varna, emri i Marina Nachevas shfaqet si person kontaktues sa u përket shërbimeve konsullore.
Emri i Nachevas po ashtu përmendet si kontakt edhe në një grup në WhatsApp, Konsullata RF (Federata Ruse) në Varna, në të cilin po ashtu listohet adresa konsullore si rruga Maqedonia, numër 33.
Kur Shërbimi Bullgar i REL-it thirri në numrin e listuar në grupin në WhatsApp, një grua që u prezantua si Nacheva, konfirmoi se shërbimet konsullore ofrohen në adresën e BSP-së. Kur u pyet pse shërbimet konsullore janë zhvendosur në selinë e BSP-së, Nacheva e mbylli menjëherë telefonin.
Partia e majtë, BSP, që është pasardhëse e Partisë Komuniste bullgare, e cila kishte udhëhequr me shtetin nga viti 1946 deri më 1990, është një subjekt që e mbështet Kremlinin. Në fushatën e fundit zgjedhore, partia vendosi bilborde në qytetin Plovdiv ku shkruhej “Rusia është mikja jonë”. Kjo parti ka aktualisht 20 deputetë në Parlamentin bullgar prej 240 ulësesh.
Edhe dëshmi të tjera duket se e lidhin Nachevan me konsullatën e supozuar sekrete. Ato mund të gjenden në llogarinë e saj personale në Facebook, ku ka edhe fotografi të saj me mbishkrimin “pritja konsullore në Varna”.
Analizimi i fotografive i bërë nga REL-i të takimeve që BSP-ja ka mbajtur në zyrën në Varna tregon se ambienti është i njëjtë si në fotografitë e publikuara nga Nacheva për “pritjen konsullore”.
Shumë pak dihet për Nachevan. Sipas të dhënave në internet, ajo kishte marrë pjesë në disa ngjarje në Konsullatën ruse në Varna para se ajo të mbyllej zyrtarisht. Ajo, po ashtu, listohet në disa ueb-faqe, të cilat i referohen asaj si bashkëudhëheqëse e një shoqate të quajtur Rusët e Shekullit 21. Megjithatë, një shoqatë e tillë nuk figuron në regjistrat e Bullgarisë.
Tradicionalisht aleate të ngushta, raportet mes Rusisë dhe Bullgarisë janë përkeqësuar viteve të fundit. Në shtator të vitit 2023, Qeveria bullgare dëboi kreun e Kishës Ortodokse Ruse në Sofje dhe dy priftërinj bjellorusë, duke i akuzuar ata se po u shërbenin interesave gjeopolitike të Moskës.
SHIKONI EDHE: Mbështetja për luftën e vë Kishën Ortodokse të Rusisë përballë presionitNë shkurt, Sofja ua ndaloi dy shtetasve rusë që të hynin në Bullgari dhe në tërë BE-në për pesë vjet për shkak të rolit të tyre të pretenduar në operacione të shërbimeve të sigurisë.
Ambasadorja aktuale ruse në Bullgari, Eleonora Mitrofanova, është akuzuar se ka përdorur postin e saj për të mbrojtur dhe përhapur dezinformata për pushtimin rus të Ukrainës dhe për t'i kritikuar ata që e kundërshtojnë luftën. Ky fakt ka bërë që shumë në Bullgari të kërkojnë dëbimin e saj.
Për shkak të këtyre vendimeve, që Rusia i ka konsideruar armiqësore, Bullgaria është vendosur në listën zyrtare të Kremlinit për “shtetet armike” pak pasi nisi lufta në Ukrainë.
Operimi i një konsullate në mënyrë sekrete në selinë e një partie politike, sipas ligjeve bullgare është veprim i paligjshëm, pasi shërbimi diplomatik është i ndërtuar mbi parimin e paanësisë partiake.
Ministria e Jashtme Bullgare i tha Radios Evropa e Lirë se nuk është në dijeni se ndonjë aktivitet diplomatik po zhvillohet në adresën në Varna.
REL-i ka dërguar pyetje edhe në Ambasadën ruse në Bullgari dhe te BSP-ja, duke i pyetur lidhur me shërbimet konsullore në Varna. Deri në publikimin e këtij artikulli, asnjë nga këto institucione nuk është përgjigjur.