Organizata ndërkombëtare për të drejta të njeriut, Human Rights Watch, ka thënë se solidariteti dhe empatia e Bashkimit Evropian për njerëzit që po i ikin luftës në Ukrainë, janë të mrekullueshme.
Judith Sunderland, drejtore për Evropën dhe Azinë Qendrore në këtë organizatë, ka përmendur sesi shtetet kanë hapur dyert për refugjatët dhe janë ngutur për të dërguar ushqim për ta.
“Bashkimi Evropian, si bllok, ka vepruar shpejt për t’iu garantuar mbrojtje të gjithë ukrainasve dhe ka aktivizuar për herë të parë një direktivë të vitit 2001, e cila ka krijuar mekanizma që njerëzit të qëndrojnë, punojnë dhe fëmijët të shkollohen brenda BE-së, pa vonesa dhe procedura burokratike”.
Megjithatë, Sunderland, ka pyetur pse nuk është aktivizuar kjo direktivë më 2015, kur më shumë se një milion sirianë, afganë dhe irakianë kanë arritur në brigjet evropiane.
“Mos harroni që edhe kur talibanët kanë marrë kontrollin e Afganistanit vitin e kaluar, retorika evropiane ka qenë për të mbajtur afganët në rajon, dhe jo për të zgjatur dorën e sigurisë”.
SHIKONI EDHE: BE miraton masa urgjente për të mbrojtur refugjatët ukrainasSipas saj, tani është koha që BE-ja të ndryshojë politikat e azilit dhe migracionit, të cilat sipas HRW-së diskriminojnë në mënyrë jopropocionale personat me ngjyrë.
“Kjo krizë na ka treguar se Evropa mund të bëjë gjëra të jashtëzakonshme, nëse tenton”, ka thënë mes tjerash Sunderland.
Sipas Kombeve të Bashkuara, më shumë se dy milionë banorë të Ukrainës janë larguar nga ky shtet drejt vendeve fqinje.
Prej tyre, mbi një milion gjenden në Poloni.
SHIKONI EDHE: Rrëfimet e grave që u detyruan të largohen nga UkrainaSulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.
Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.
- Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.