Organizata ndërkombëtare për të drejta të njeriut, Human Rights Watch, i ka bërë thirrje Ukrainës që të hulumtojë secilin krim të supozuar të luftës që mund të kenë kryer trupat e saj, pas raportimeve të paverifikuara se ushtarët ukrainas kanë torturuar trupat e zëna ruse prej kur Moska ka nisur sulmin ndaj fqinjës së saj.
Në disa video të publikuara më 27 mars, duken ato që shihen si forca ukrainase duke abuzuar luftëtarët e zënë rusë, të cilët kanë statusin e të burgosurve të luftës, duke përfshirë edhe të shtëna me armë zjarri ndaj tre ushtarëve në këmbë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy ka thënë të nesërmen se Kievi i ka parë supozimet me “shumë seriozitet” dhe do të bëjë hetime.
“Nëse konfirmohen, rrahjet dhe të shtënat me armë zjarri ndaj luftëtarëve të zënë, përbëjnë krime lufte dhe Ukraina duhet të tregojë se mundet dhe ka gatishmëri për të parandaluar dhe ndëshkuar shkeljet serioze të ligjit ndërkombëtar humanitar”, ka thënë Human Rights Watch përmes një deklarate të lëshuar më 1 prill.
SHIKONI EDHE: Kush është kriminel i luftës dhe kush e vendos këtë gjë?Kjo Organizatë ka paralajmëruar më parë Rusinë se veprimet që ka kryer mund të konsiderohen krime lufte, duke përfshirë sulmet ajrore në teatrin e qytetit të Mariupolit.
Autoritetet ukrainase kanë thënë se aty kanë qenë duke u strehuar civilë, dhe rreth 300 prej tyre dyshohet të kenë vdekur si pasojë e sulmeve.
Gjykata Ndërkombëtare Penale ka nisur hetime për krime të mundshme të luftës që mund të jenë kryer nga të dyja palët në konfliktin në Ukrainë.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Ai ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.
- Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.