Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të hënën se vendi i tij dënon në nivelin më të lartë sulmin "e tmerrshëm" që është kryer në kanalin e Ibër-Lepencit më 29 nëntor në Zubin Potok, dhe që ndonëse është herët të dihet fajtori, në këtë fazë "nuk mund të përjashtohet asnjë grup apo shtet".
Ai i ka bërë këto deklarata pas një takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili e ka ftuar korin diplomatik në Kosovë për t’i njoftuar për më të rejat lidhur me këtë sulm që Kosova e konsideron terrorist dhe e fajëson Serbinë.
Serbia, në anën tjetër, mohon të gjitha akuzat dhe ka thënë se po kryen hetimet e veta për këtë rast.
“Momentalisht SHBA-ja nuk mund të thotë se kush është mbrapa sulmit, është herët dhe çështje si këto kërkojnë hetime të kryera me kujdes. Ajo që mund të them është se u kemi ofruar ndihmë autoriteteve të Kosovës. Mendojmë që është shumë e rëndësishme që të ketë hetim të thuktë për t’i identifikuar përgjegjësit”.
SHIKONI EDHE: Çfarë dihet deri më tani lidhur me sulmin ndaj kanalit të ujit të Ibër-Lepencit?Hovenier ka thënë se sulmi ka rrezikuar qytetarët e Kosovës dhe që "përgjegjësit duhet të japin llogari”.
I dërguari i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka thënë se zyrtarët më të lartë të BE-së e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre për këtë rast, si referencë për deklaratën e bllokut evropian, i cili e ka konsideruar sulmin si terrorist dhe sabotues.
Zyra e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka thënë pas takimit me korin diplomatik se qëllimi i këtij sulmi ka qenë “dëmtimi i prodhimit të energjisë elektrike dhe furnizimit me ujë në pjesën më të madhe të vendit” dhe ka përsëritur se indikacionet tregojnë se “sulmi është kryer nga grupe e persona profesionistë e të mbështetur e dirigjuar nga Serbia”.
Gabim në server
Ka një problem në server. Ekipi ynë po merret me të. Ju kërkojmë ndjesë!
Ju lutemi përdoreni opsionin e kërkimit për të parë nëse gjendet diku tjetër në web
Sulmi ka ndodhur në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut – komunë me shumicë serbe në veri të vendit.
Policia e Kosovës ka thënë se sulmi është kryer me lëndë shpërthyese deri në 20 kilogramë.
Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
Gazetarët e Radios Evropa e Lirë raportojnë të hënën se uji është ende duke rrjedhur jashtë kanalit, dhe që po kryhen punime për sanim të problemit.
Autoritetet e Kosovës kanë ndaluar fillimisht tetë të dyshuar lidhur me këtë sulm dhe kanë kryer bastisje në pjesën veriore të vendit.
SHIKONI EDHE: Kurti: Besojmë se sulmi ndaj Ibër-Lepencit është orkestruar nga SerbiaGjykata Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur të dielën se të pandehurit D.V ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 1 muaji nën dyshimet se ka kryer veprën penale, rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike.
Sulmi është dënuar ashpër nga faktori ndërkombëtar.