Hovenier: Do ta inkurajoj Kosovën për konstruktivitet dhe fleksibilitet në dialog

Jeffrey Hovenier, i nominuar i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden për ambasador në Kosovë, gjatë prezantimit të tij në Senatin amerikan. 5 tetor 2021.

Në Komitetin e Senatit amerikan për Marrëdhënie me Jashtë, të martën, më 5 tetor, është paraqitur Jeffrey Hovenier, i nominuar i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden për ambasador në Kosovë.

Gjatë paraqitjes së tij, Hovenier ka thënë se ka qenë pjesë e përpjekjeve të SHBA-së për ta mbrojtur popullin e Kosovës gjatë luftës së fundit në disa aspekte, por ka theksuar rolin që ka pasur si pjesëtar i ekipit të Kombeve të Bashkuara, të krijuar nga ish-presidenti finlandez, Martti Ahtisaari, “i cili ka krijuar ‘Planin Ahtisari’ dhe ka hapur rrugën për pavarësinë e Kosovës”.

Ai ka thënë se nëse emërohet ambasador i SHBA-së në Kosovë, ai do ta ketë prioritet vazhdimin e mbështetjes amerikane për një Kosovë sovrane e demokratike.

Më pas ai ka përmendur mbështetjen për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, i cili siç ka thënë Hovenier – duke cituar presidentin Biden – duhet të ketë në qendër “njohjen reciproke”.

“Normalizimi i marrëdhënieve është thelbësor për stabilitetin rajonal dhe do të hapë rrugën për dy shtetet drejt integrimeve në institucionet euro-atlantike. Nëse më konfirmohet nominimi, unë do ta inkurajoj Kosovën që të angazhohet me konstruktivitet, fleksibilitet dhe urgjencë”, ka deklaruar ai para senatorëve amerikanë.

SHIKONI EDHE: Escobar: Kosova dhe Serbia të përqendrohen në dialog

Hovenier e ka përsëritur se Kosova është shtet i pavarur dhe se autoritetet në Kosovë qeverisin gjithë shtetin.

Megjithatë ai ka përmendur sfidat me të cilat përballet ky shtet në këtë aspekt.

Ai ka thënë se dialogu në Bruksel ka shënuar përparim në fushën e shërbimeve të doganave dhe gjyqësorit, mirëpo ende duhet bërë punë, sidomos në qeverisjen komunale.

“Ne e pranojmë se Serbia dëshiron të mbështesë komunitetin serb në Kosovë, kjo është e arsyeshme. Mirëpo kjo gjë duhet bërë brenda kornizës kushtetuese dhe sipas ligjeve të Kosovës”.

I pyetur nga senatori amerikan, Bob Menendez se si e sheh Hovenier rolin e Serbisë në procesin e dialogut me Kosovën, pasi sipas tij Serbia jo gjithmonë del të jetë “partnere e mirë”, i nominuari për ambasador ka thënë se do të punojë për të normalizuar sa më shumë marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Sikurse çdo problem tjetër në Ballkan, problemi kërkon punë nga të dyja palët. Fokusi im do të jetë për të inkurajuar autoritetet e Kosovës që të angazhohen me konstruktivitet dhe urgjencë në atë proces, mirëpo më duhet të pajtohem me ju se autoriteteve në Serbi u duhet shtytja e njëjtë dhe nuk mund të mos pajtohem me vlerësimin tuaj se bashkëbiseduesit serbë jo gjithmonë kanë qenë në atë linjë gjatë procesit”.

SHIKONI EDHE: Joseph: Serbia nuk duhet privilegjuar më

Mes tjerash gjatë paraqitjes së tij, Hovenier ka përmendur edhe rimëkëmbjen e Kosovës nga pandemia e koronavirusit.

“Kur Kosova ka kërkuar ndihmën tonë, Shtetet e Bashkuara kanë ndihmuar. Në shtator, Shtetet e Bashkuara kanë dhënë mbi 500 mijë doza vaksinash të kompanisë Pfizer për Kosovën”, ka deklaruar mes tjerash ai.

Ai ka përmendur edhe se do të punojë me partnerët në Kosovë për rritje të ekonomisë dhe adresim të shkallës së lartë të papunësisë në Kosovë.

SHIKONI EDHE: Buxheti ngufatet nga skemat sociale

"Do ta mbështes zhvillimin e FSK-së në forcë për mbrojtje territoriale”

Në prezantimin e tij ai ka përmendur edhe zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Ai ka thënë se do të mbështesë zhvillimin gradual dhe transparent të FSK-së, duke thënë se SHBA-ja mund të ndihmojë në avancimin e Kosovës nga konsumatore në ofruese të sigurisë.

“Nëse zgjidhem ambasador, do të mbështes zhvillim gradual dhe të vazhdueshëm të FSK-së në forcë multi-etnike, ndërvepruese me NATO-n dhe forcë për mbrojtje territoriale”.

SHIKONI EDHE: SHBA-ja i dhuron FSK-së automjete ushtarake

"Populli i Kosovës nuk harroi mbështetjen amerikane’

Hovenier ka thënë po ashtu gjatë prezantimit të tij se populli i Kosovës nuk e ka harruar rolin e SHBA-së në 20 vjetët e fundit.

“Si rezultat, Kosova është një nga vendet më proamerikane në botë dhe partnere e ngushtë”.

Ai ka thënë se pas zgjedhjeve të mbajtura në Kosovë në muajin shkurt, qeveria e re ka mandat të qartë dhe se marrëdhënia SHBA-Kosovë mbetet pozitive dhe produktive.

I nominuari i Bidenit për ambasador në Kosovë, ka përmendur edhe vendimin e Qeverisë së Kosovës për të strehuar përkohësisht disa afganë të evakuuar nga Afganistani, pas largimit të trupave ndërkombëtare nga ky vend.

“Pranimi i refugjatëve kur kanë nevojë është diçka që shumë kosovarë e kujtojnë”.

SHIKONI EDHE: Afganët në Kosovë: Të sigurt e të mbyllur në kampe

Rruga drejt Perëndimit

Kur senatorja amerikane Jeanne Shaheen ka pyetur të nominuarit për ambasadorë në Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë, Jeffrey Hovenier dhe Michael Murphy se si mund të drejtohen këto vende drejt Perëndimit dhe të mbahen larg ndikimit të Kinës dhe Rusisë, i nominuari për ambasador në Kosovë ka thënë se Kosova është rast “sui generis” në rajon, meqë as Rusia dhe as Kina nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës dhe rrjedhimisht nuk vërehet shumë ndikimi i këtyre shteteve.

“Në periudhë afatshkurtër, mendoj se detyra jonë është që të inkurajojmë autoritetet e Kosovës që të bëjnë reformat e kërkuara në mënyrë që të jenë të gatshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO. BE-ja ka luajtur rol konstruktiv në disa aspekte kur është fjala për Kosovën, mirëpo keni të drejtë kur thoni se stimuli për anëtarësim ka qenë katalizator për reforma dhe ndryshime”.

Ai ka thënë se nëse zgjidhet ambasador ai do të punojë për të krijuar një momentum të ri.

Hovenier ka shtuar edhe se do të inkurajojë edhe vendet e BE-së që nuk kanë njohur shtetësinë e Kosovës për të menduar rreth ndikimit që mund të ketë kjo gjë në procesin e anëtarësimit.

Vendet anëtare që nuk kanë njohur shtetësinë e Kosovës janë: Spanja, Sllovakia, Qiproja, Rumania dhe Greqia.

SHIKONI EDHE: Greqia nuk ndryshon pozicionin për njohjen, por mbështet liberalizimin e vizave

Seanca për zgjedhjen e ambasadorit të ri në Kosovë vjen pas përfundimit të mandatit të Philip Kosnett si ambasador në Kosovë.

SHIKONI EDHE: Kosnett e cilëson “nder të madh” shërbimin në Kosovë