Hovenier: Agjentë të FBI-së janë angazhuar në hetimet pas sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të premten se agjentë amerikanë të Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) janë të angazhuar drejtpërdrejt në Kosovë, në hetimet për të gjetur fajtorët mbrapa sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit.

Kanali i Ibër-Lepencit është sulmuar më 29 nëntor në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut – komunë me shumicë serbe në veri të vendit.

Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

SHIKONI EDHE: Çfarë është Ibër-Lepenci?

Hovenier, ambasador në shkuarje, ka thënë në një intervistë për televizionin Klan Kosova, se hetimet për të gjetur përgjegjësit janë duke vazhduar dhe SHBA-ja po ndihmon në këtë proces.

“Kemi sjellë mbështetjen e FBI-së këtu në Kosovë për të punuar drejtpërdrejt me kohë të plotë me autoritetet për zbatim të ligjit, për të identifikuar përgjegjësit”, ka thënë Hovenier, i cili e ka dënuar edhe një herë sulmin.

Aktualisht, ai ka thënë se nuk mund të përcaktojë se kush është mbrapa sulmit.

Policia e Kosovës ka thënë se sulmi është kryer me lëndë shpërthyese deri në 20 kilogramë.

Kosova e ka fajësuar Serbinë për këtë sulm që e ka konsideruar terrorist, ndërsa Beogradi zyrtar ka mohuar gjithçka.

Për autoritetet e Kosovës ky ka qenë sulmi më i rëndë në infrastrukturën kritike të vendit që nga lufta e viteve 1998/99, dhe që dëmet shkojnë në rreth 400.000 euro.

SHIKONI EDHE: Uji në kufirin e tensionuar: A mund t’ia ndërrojë Serbia kahun Ibrit?

Edhe i dërguari amerikan për Ballkanin, Alexander Kasanof, i ka thënë Zërit të Amerikës se SHBA-ja dënon sulmin në shkallën më të lartë.

“Ajo që mund të them është që akte të tilla janë jo vetëm të tmerrshme por janë ndërtuar qartësisht për të krijuar destabilitet dhe i refuzojmë në mënyrën më të forte”, ka thënë mes tjerash Kasanof.

Përveç SHBA-së, sulmin e ka dënuar ashpër edhe Bashkimi Evropian.