Qeveria e Kinës ka dënuar dorëheqjen masive të shumicës së pjesëtarëve opozitarë në Hong Kong duke e konsideruar këtë veprim “farsë” dhe “sfidë të hapur” për autoritetin e saj.
Të mërkurën, 15 pjesëtarë të opozitës kanë dhënë dorëheqje si shenjë solidariteti me katër ligjvënësit që janë përjashtuar.
Pekini ka thënë se të katër personat kanë qenë kërcënim për sigurinë kombëtare.
Mirëpo shumë persona e shohin këtë veprim si kufizim të të drejtave të Hong Kongut, duke përfshirë lirinë e shprehjes, pretendim që Pekini e mohon.
Këto veprime janë kritikuar ashpër dhe janë konsideruar në kundërshtim me autonominë e supozuar të këtij territori sipas marrëveshjes “një shtet, dy sisteme”.
Shtetet e Bashkuara e kanë cilësuar këtë veprim si “diktaturë njëpartiake”.
Autoritetet kineze kanë thënë se dorëheqjet masive përbëjnë “sfidë të hapur” kundër autoritetit të Qeverisë kineze dhe mini-kushtetutës së Hong Kongut.
Ata po ashtu kanë thënë se ky qëndrim tregon për “rezistencën kundër qeverisë qendrore”.
“Nëse këta ligjvënës shpresojnë të përdorin dorëheqjet e tyre për të provokuar opozitën radikale dhe të bëjnë thirrje për ndërhyrje të jashtme, ata nuk kanë bërë mirë kalkulimet”, ka thënë zëdhënësi i zyrës së Kinës për çështjet e Hong Kongut dhe Makaut.
Çfarë ka nxitur këtë situatë?
Të mërkurën, një rezolutë e miratuar nga Pekini, ka thënë se ligjvënësit duhet të diskualifikohen nëse mbështesin pavarësinë e Hong Kongut, refuzojnë të pranojnë sovranitetin e Kinës, u kërkojnë forcave të huaja të ndërhyjnë në çështjet e këtij qyteti, apo në ndonjë mënyrë përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare.
Nuk ka kaluar shumë kohë kur Hong Kongu ka përjashtuar katër anëtarë opozitarë të Këshillit Legjislativ të qytetit, bazuar në rregullat e rezolutës së re.
Më pas, 15 ligjvënës pro-demokracisë kanë njoftuar se do të heqin dorë në shenjë solidariteti.
Të enjten, ata nuk janë parë nëpër ulëset e tyre.
Një nga ligjvënësit që ka dhënë dorëheqje, Wu Chi-wai, u ka thënë gazetarëve se zhvillimet e kanë bërë të qartë që Pekini ka dëmtuar autonominë e Hong Kongut.
“Mund ta them se është komplot që Qeveria e Pekinit ka bërë për kohë të gjatë dhe sot ata e përfundojnë rrëfimin dhe i tregojnë botës se organizimit ‘një shtet, dy sisteme’ i ka ardhur fundi”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se “ne nuk duhet të heqim dorë” edhe nëse “kthimi i sërishëm i demokracisë nga qeveria autoritare do të marrë shumë kohë, ndoshta edhe gjenerata”.
Legjislatura me 70 ulëse ka 21 anëtarë opozitarë, të cilët zakonisht konsiderohen se janë kundër udhëheqësisë.
Vetëm dy prej tyre tani do të jenë në parlament.
Pse janë përjashtuar katër deputetët?
Zyrtarët e qytetit kanë thënë se katër ligjvënësit që janë përjashtuar të mërkurën, veçse janë diskualifikuar nga gara për zgjedhjet e reja, të cilat ishte planifikuar të mbaheshin në shtator të këtij viti, por që janë shtyrë për vitin e ardhshëm.
Zyrtarët e Pekinit dhe Hong Kongut nuk kanë dhënë detaje sesi katër burrat kanë shkelur ligjin.
Hong Kongu, që i është kthyer Kinës nga Britania më 1997, ishte përcaktuar që të kishte sistemin e vet ligjor, parti të shumta politike dhe të drejta tjera për 50 vjet.
Mirëpo Ligji i ri i sigurisë për këtë qytet i ka bërë kriminale veprimet si “shtypja, përmbysja dhe bashkëpunimi me forcat e huaja”.
Pekini beson se ky ligj do të kthente stabilitetin në këtë territor, mirëpo kritikët kanë thënë se zvogëlon lirinë e shprehjes dhe të drejtën për protesta.
Cilat kanë qenë reagimet?
Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se do të shtojnë sanksionet kundër Kinës, duke shënjestruar ata që janë përgjegjës për dëmtim të lirive në Hong Kong.
Gjermania, udhëheqja aktuale e presidencës së Bashkimit Evropian dhe Australia, po ashtu kanë dënuar dëbimet.
SHIKONI EDHE: SHBA-ja pezullon zyrtarisht tri marrëveshje me Hong KongunMegjithatë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze ka thënë të mërkurën se diskualifikimi i katër ligjvënësve “ka qenë racional, i arsyeshëm dhe në linjë me kushtetutën dhe ligjet”.