Hezbollahu e ka marrë përgjegjësinë për një sulm me dronë të kryer javën e kaluar, që ka shënjestruar rezidencën e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe e ka pranuar se disa luftëtarë të tij janë marrë peng prej ushtrisë izraelite.
Hezbollahu, grup militant dhe parti politike që kontrollon pjesën më të madhe në jug të Libanit, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, derisa Bashkimi Evropian e ka në listë të zezë vetëm krahun e armatosur, por jo partinë, e cila ka ulëse në Parlamentin e Libanit.
Zëdhënësi i grupit, Mohammed Afif, ka thënë se Hezbollahu merr përgjegjësi të plotë për operacionin në Kaesarea, që ka shënjestruar Netanyahun.
Të shtunën, kryeministri izraelit e ka akuzuar Hezbollahun për atentat kundër tij dhe gruas të tij, pas lëshimit të dronit drejt rezidencës së tij në qytezën Kaesarea. Askush nuk është plagosur në këtë sulm.
Ushtria izraelite ka bërë të ditur se i marrë peng katër luftëtarë të Hezbollahut prej nisjes së ofensivës në Liban, dhe e ka publikuar një video në të cilën njëri prej tyre shihet duke u përgjigjur.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë të hënën se kërkojnë që lufta Izrael-Hezbollah të përfundojë “sa më shpejt që është e mundur”, teksa shtyjnë përpara një rezolutë të Kombeve të Bashkuara, që i kërkon grupit të armatosur të tërhiqet prej jugut të Libanit.
SHIKONI EDHE: SHBA kërkon që lufta Izrael-Hezbollah të përfundojë “sa më shpejt që është e mundur”Shkëmbimet e sulmeve raketore në kufirin e Libanit kanë nisur pas nisjes së luftës së Izraelit në Gazë, më 7 tetor të vitit të kaluar.
Lufta është nxitur nga sulmet e Hamasit në jug të Izraelit, duke lënë mbi 1.200 njerëz të vrarë dhe duke marrë 240 pengje tjera.
Si pasojë e ofensivës izraelite në Gazë janë vrarë më shumë se 42.000 palestinezë, kryesisht civilë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.
Në shtator, Izraeli e ka zgjeruar luftën edhe në Liban, me qëllim të shkatërrimit të kapaciteteve të Hezbollahut në zonën kufitare.
Hezbollahu, në anën tjetër, është zotuar se do ta vazhdojë luftën, derisa të arrihet një armëpushim në Gazë.