Hezbollahu me sulme hakmarrëse ndaj Izraelit pas vrasjes së numrit dy të Hamasit

Kjo fotografi është realizuar nga jugu i Libanit dhe shfaq tymin pas një sulmi ajror në fshatrat izraelite pranë kufirit mes Libanit dhe Izraelit. 3 dhjetor 2023.

Milicia Hezbollah e Libanit ka lëshuar dhjetëra raketa në veri të Izraelit më 6 janar, duke paralajmëruar se kjo breshëri ishte përgjigja fillestare ndaj vrasjes, që besohet se është kryer nga Izraeli, të një udhëheqësi të lartë të aleatit të saj, Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Më herët gjatë javës, në shpërthime në kryeqytetin libanez, Bejrut, u vra numri dy i Hamasit, Saleh Arouri.

SHIKONI EDHE: Vrasja e zëvendësshefit të Hamasit rrezikon të zgjerojë luftën

Sulmet e së shtunës vijnë një ditë pasi lideri i Hezbollahut, Sayyed Hassan Nasrallah, tha se grupi i tij do të hakmerret për vrasjen e Arourit. Nasrallah tha se nëse Hezbollahu nuk kundërpërgjigjet, i gjithë Libani do të jetë i cenueshëm nga sulmet izraelite. Me këtë deklaratë ai si duket iu përgjigj publikut libanez, pavarësisht rrezikut për përshkallëzimin e luftimeve midis Hezbollahut dhe Izraelit, në kohën kur lufta mes Izraelit dhe Hamasit po vazhdon.

Hezbollahu tha të shtunën se ka lëshuar 62 raketa drejt një baze izraelite të vëzhgimit ajror në malin Meron, duke pretenduar se raketat kanë goditur në shënjestër. Ushtria izraelite tha se rreth 40 raketa janë gjuajtur në drejtim të Meronit dhe se baza ishte shënjestra, por nuk përmendi nëse raketat kanë arritur të godisnin bazën. Izraeli tha se është kundërpërgjigjur duke goditur qelizën e Hezbollahut që lëshoi raketat.

Përshkallëzimi ndërkufitar vjen në kohën kur sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, nisi një turne diplomatik në Lindjen e Mesme. Ky është udhëtimi i katërt i tij në rajon që kur nisi lufta Izrael-Hamas tre muaj më parë. Lufta u nxit pasi Hamasi sulmoi në jug të Izraelit duke vrarë 1.200 persona, shumica civilë, dhe duke rrëmbyer rreth 250 të tjerë. Izraeli u kundërpërgjigj me sulme nga ajri, toka dhe deti, që kanë vrarë mbi 22.600 palestinezë në Rripin e Gazës.

Blinken nisi turneun e tij në Turqi të shtunën. Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, beson se Turqia dhe të tjerët mund të kenë ndikim, veçmas në Iranin dhe bashkëpunëtorët e tij, për të ulur frikën për përhapjen e konfliktit.

Në bisedimet me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe ministrin e Jashtëm, Hakan Fidan, Blinken po ashtu do të kërkojë mbështetjen e Turqisë për planet për Gazën pasi të ketë përfunduar lufta, përfshirë këtu edhe kontributet monetare për rindërtim.

SHIKONI EDHE: Izraelit “po i humb durimi” me Hezbollahun

Nga Turqia, kryediplomati amerikan do të qëndrojë në Greqi, ku do të takohet me kryeministrin Kyriakos Mitsotakis. Më pas, të dielën dhe të hënën Blinken do të qëndrojë në Jordani, Katar, Emiratet e Bashkuara Arabe. Kryediplomati amerikan do të vizitojë javën e ardhshme Izraelin dhe Bregun e pushtuar Perëndimor dhe do të përmbyllë turneun e tij diplomatik në Egjipt.