Hezbollahu e ka emëruar Naim Qassem pasues të liderit të vet të vrarë, Hassan Nasrallah, njoftoi të martën grupi libanez.
Hezbollahu, i cili e kontrollon Libanin jugor, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.
“Këshilli Shura [qeverisës] i Hezbollahut u pajtua ta emërojë... Sheikh Naim Qassem sekretar të Përgjithshëm të partisë”, tha grupi i mbështetur nga Irani në një komunikatë.
SHIKONI EDHE: Kush është Naim Qassem, lideri i ri i Hezbollahut?"Ne i betohemi Zotit dhe shpirtit të dëshmorit tonë më të lartë dhe më të çmuar, Sayyed Hassan Nasrallah, dëshmorëve, luftëtarëve të qëndresës islamike dhe popullit tonë të qëndrueshëm, të durueshëm dhe besnik, se do të punojmë së bashku për të arritur parimet dhe qëllimet e Hezbollahut dhe për ta mbajtur të ndezur flakën e rezistencës dhe flamurin e ngritur lart derisa ta arrijmë fitoren", thuhet në komunikatë.
Në javët e fundit, Izraeli është duke e kryer një fushatë bombardimesh ajrore dhe një pushtim tokësor të Libanit jugor, duke i vënë në shënjestër drejtuesit e Hezbollahut dhe aftësitë e tij ushtarake, si përgjigje ndaj sulmeve të shumta raketore nga ky grup. Këto sulme janë intensifikuar prej kur ushtria izraelite pushtoi Rripin e Gazës pas një sulmi nga Hamasi në jug të Izraelit, ku vrau mbi 1.200 izraelitë dhe rrëmbeu rreth 250 të tjerë.
SHIKONI EDHE: Izraeli thotë se e ka vrarë zyrtarin që pritej të bëhej udhëheqës i HezbollahutNasrallahu u vra nga bombardimet izraelite muajin e kaluar, ndërsa një javë më vonë u vra edhe Hashem Safieddine, njeriu që pritej të emërohej pasues i tij.
Qassem, i lindur në Bejrut në vitin 1953 në një familje me origjinë nga jugu pranë kufirit me Izraelin, ka qenë zëvendëssekretar i Përgjithshëm i Hezbollahut prej vitit 1991, kur u zgjodh zëvendës i Abbas al-Musawit, liderit të atëhershëm të grupit i cili ishte vrarë nga një sulm izraelit më 1992.
Qassem e ka mbajtur këtë edhe pasi Nasrallahu e mori drejtimin e grupit.
Pasi Nasrallahu u zhduk nga syri i publikut pas luftës së Hezbollahut me Izraelin në vitin 2006, Qassemi mbeti figura më e dukshme e lartë e grupit dhe shpesh vepronte si zëdhënës i Hezbollahut.
Qassem është përfshirë në organizimin e fushatave zgjedhore të Hezbollahut për Parlamentin e Libanit prej se ky grup mori pjesë për herë të parë në zgjedhjet e vitit 1992.