Nis hetimi ndaj Shërbimit Sekret pas atentatit ndaj Trumpit

Agjentët e Shërbimit Sekret duke larguar nga skena ish-presidentin Donald Trump. Pensilvani, 13 korrik 2024.

Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit amerikan për Siguri të Brendshme tha se ka nisur një hetim për të kuptuar se si e ka menaxhuar Shërbimi Sekret sigurinë për ish-presidentin Donald Trump, në ditën kur një sulmues i armatosur tentoi ta vriste gjatë një tubimi në Pensilvani.

Përmes një njoftimi të shkurtër të publikuar në ueb-faqen e Inspektorit të Përgjithshëm, agjencia tha se objektivi i hetimit është “vlerësimi i procesit të Shërbimit Sekret për sigurinë në tubimin e ish-presidentit Trump më 13 korrik 2024”.

Në njoftim nuk u bë i ditur se kur ka nisur hetimi.

SHIKONI EDHE: Historiku i vrasjeve dhe atentateve në SHBA

Presidenti amerikan, Joe Biden, veçse ka urdhëruar një shqyrtim të pavarur të sigurisë në mitingun zgjedhor.

Të shtënat ngritën pikëpyetje se si sulmuesi mundi të hipte në çatinë afër vendit ku po mbahej mitingu dhe të qëllonte drejt ish-presidentit, i cili u plagos lehtë.

Sulmuesi 20-vjeçar, Thomas Matthew Crooks, arriti t’i afrohej 135 metra nga skena ku ish-presidenti republikan po fliste dhe më pas hapi zjarr.

Trump, që u godit në veshin e djathtë, u largua me shpejtësi nga skena nga agjentët e Shërbimit Sekret dhe agjentët qëlluan për vdekje sulmuesin. Si pasojë e të shtënave u vra një person që ishte në audiencë dhe dy të tjerë u plagosën rëndë.

SHIKONI EDHE:

Atentati ndaj Trumpit lëkund fushatën zgjedhore në SHBAAutoritetet amerikane po tentojnë të zbulojnë motivin për atentatin ndaj Trumpit

Drejtoresha e Shërbimit Sekret, Kim Cheatle, tha se agjencia e kupton rëndësinë e rishikimit të urdhëruar nga Bideni dhe do të marrë pjesë në të. Ajo tha se agjencia po punon për të kuptuar se si ndodhën të shtënat dhe a mund të bëhet diçka që gjëra të tilla të mos përsëriten.

Shërbimi Sekret ka afër 7.800 anëtarë që janë përgjegjës për mbrojtjen e presidentëve, nënpresidentëve, familjarëve të tyre, ish-presidentëve, familjarë të tyre dhe zyrtarëve të lartë të kabinetit amerikan.