Këshilli për të Drejtat e Njeriut i OKB-së votoi për të hapur një hetim të përhershëm ndërkombëtar mbi konfliktin e fundit në Gaza dhe për abuzimet “sistematike” të kryera nga Izraeli ndaj palestinezëve.
Rezoluta, që kaloi me 24 vota për, nëntë kundër dhe 14 abstenime, vjen pasi komsionerja e Kombeve të Bashkaura për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet tha se Izraeli mund të ketë kryer krime lufte në Gaza dhe se drejtuesit e grupit militant, Hamas mund të kenë shkelur të drejtën ndërkombëtare humanitare, gjatë hedhjes së raketave në Izrael.
Rezoluta u miratua në një seancë të posaçme të thirrur nga Organizata për Bashkëpunim Islamik dhe nga palestinezët.
Para se të arrihej marrëveshja e armëpushimit javën e kaluar, komisionerja Bachelet tha se zyra e saj ka verifikuar vdekjen e 270 palestinezëve në Gaza, Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor, përfshirë edhe 68 fëmijë, të cilët vdiqën nga dhuna gjatë këtij muaji. Nga raketat e lëshuara nga Hamasi janë vrarë dhjetë izraelitë.
Gjatë luftës 11-ditore, sulmet ajrore izraelite në zonat e banuara në Rripin e Gazës “rezultuan me numër të lartë të vdekjeve dhe plagosjes së civilëve, dhe me shkatërrime të infrastrukturës civile”, tha Bachelet.
Hamasi ka hedhur mbi 4.000 raketa, shumica prej të cilave janë shkatërruar nga sistemi i mbrojtjes raketore të Izraelit. Por, sipas Bachelet, hedhja e këtyre raketave ishte një “shkelje e qartë e të drejtës ndërkombëtare humanitare”, pasi ky grup dështoi që të dallonte caqet ushtarake nga ato civile.
Rezoluta e miratuar urdhëron që të krijohet një Komision hetues, i cili do të jetë i përhershëm, për të hetuar dhunën e fundit, por gjithashtu edhe “shkaqet kryesore të tensioneve të përsëritura, përfshirë edhe diskriminimin sistematik dhe shtypjen e bazuar në identitetin e një grupi” në Gaza, Bregun Perëndimor dhe në Jerusalemin Lindor. Ky do të jetë hetimi i parë që do të ketë një mandat të vazhdueshëm, që do të monitorojë dhe raportojë për konfliktin mes Izraelit dhe palestinezëve.
Para votimit të kësaj rezolute, ambasadorja e Izraelit në OKB, Meirav Eilon Shahar tha se Hamasi është “një organizatë terroriste, xhihadiste dhe gjenocidiale” dhe e akuzoi këtë grup për kryerje të krimeve të luftës, duke përdorur civilët si mburoja njerëzore.
Hamasi ka mohuar se ka përdorur civilët si mburoja njerëzore dhe ka justifikuar hedhjen e raketave në Izrael, duke thënë se këtë e ka bërë për të mbrojtur palestinezët kundër shtypjes.