Partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), kërkoi formimin e një Komisioni parlamentar hetimor për kontratat që Ministria e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë (MINT) ka bërë për rezervat shtetërore.
Arben Gashi, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, në një konferencë për media, tha se në mbledhjen e parë të sesionit vjeshtor të Kuvendit do të kërkojnë formimi i këtij komisioni.
“Qytetarët e Kosovës kanë nevojë të dinë të vërtetën. E vërteta është zgjidhja e duhur. Keqpërdorimet dhe abuzimet eventuale aktuale me rezervat shtetërore kërkojnë qasje hetimore, serioze dhe përmbajtjesore”, tha Gashi më 9 gusht.
Sipas tij, përveç hetimeve penale që duhet t’i bëjë Prokuroria e Shtetit, është e domosdoshme të bëhen edhe hetime parlamentare për të parë, siç tha Gashi, " se a janë respektuar ligjet dhe procedurat për rezervat shtetërore".
Kërkesa për hetim parlamentar nga LDK vjen pas publikimit të disa audio-incizimeve nga portali Nacionale, ku flitet për keqpërdorime të kontratave për blerjen e rezervave shtetërore nga MINT-i.
SHIKONI EDHE: Gruri sivjet, pak e me cilësi të dobëtNacionale ka raportuar për importim të grurit me çmim më të shtrenjtë nga një kompani ndërtimi në Turqi.
Ky portal ka bërë të ditur se kompania turke ende nuk e ka sjell në Kosovës sasinë e grurit për të cilën ka paguar Qeveria e Kosovës.
Në Kosovë në vitin 2010 është miratuar Ligji për rezervat shtetërore.
Sipas këtij Ligji, rezervat shtetërore të mallrave krijohen për të ndërhyrë në mënyrë operative për mbrojtjen e popullsisë, ekonomisë në rast të çrregullimit të tregut, mbrojtjes së vendit në situata të gjendjes së jashtëzakonshme, gjendjes së emergjencës civile dhe shumë raste tjera të ngjashme.
Rezervat shtetërore të mallrave sigurohen në bazë të Planit strategjik afatmesëm, kurse administrohen nga Departamenti i rezervave shtetërore të mallrave, në kuadër të Ministrisë së Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë.
Ndryshe, sipas ligjeve në fuqi, komisionet hetimore themelohen për të hetuar probleme, çështje ku janë drejtpërsëdrejti të përfshira përgjegjësitë qeveritare apo shtetërore. Këto organe po ashtu ngrihen me qëllim të konstatimit, përshkrimit të rrjedhës së ngjarjeve apo me qëllim të qartësimit të asaj se çfarë ka ndodhur dhe përcaktimit të përgjegjësisë së atyre që kanë qenë të përfshirë.
Sipas Ligjit për hetim parlamentar, komisionet hetimore kanë qëllim edhe për informim, rekomandim dhe ushtrim të mbikëqyrjes parlamentare dhe të arritjes së një përfundimi.