Nga mesnata ka filluar heshtja zgjedhore në Maqedoni, e cila do të zgjatë deri në orën shtatë në mbrëmjen e së dielës, kur dhe do të mbyllen kutitë e votimit.
Zgjedhjet të dielën do të përsëriten në 35 komuna nga gjithsejtë 80 sosh sa ka Maqedonia.
Beteja më e ashpër është në kampin politik shqiptar, ngase në balotazh janë futur pothuajse të gjitha komunat me shumicë shqiptare, dy prej të cilave janë pjesë e qytetit të Shkupit si Çairi dhe Saraj, si dhe komunat më të mëdha si Tetova, Gostivari, Dibra, Struga etj,
Në 5 komuna kandidatët e BDI-së të mbështetur nga Lidhja Social -Demokrate e Maqedonisë, do të përballen me kandidatët e Aleancës për Shqiptarët mbështetur nga Lëvizja Besa dhe në 7 të tjera - kandidatët e BDI-së në mbështetje të LSDM-së do të përballen me kandidatët e Lëvizjes Besa, e cila mbështete nga Aleanca për Shqiptarët.
Partitë politike shqiptare forcat i kanë përqendruar në Komunën e Çairit të Shkupit, atë të Tetovës, Gostivarit dhe atë të Strugës komuna këto që vlerësohet se përcaktojnë dhe fituesin e zgjedhjeve vendore.
Për Çairin e Shkupit të dielën, në raundin e dytë përballen kandidati i BDI-së, i mbështetur nga LSDM-ja në njërën anë dhe anën tjetër kandidati i Lëvizjes Besa i mbështetur nga Aleanca për Shqiptarët.
Në Tetovë përballen kandidatja e BDI-së, e mbështetur nga LSDM-ja, në njërën anë, dhe anën tjetër, kandidati i Lëvizjes Besa, i mbështetur nga Aleanca për Shqiptarët.
Në Gostivar përballen kandidati i BDI-së, i mbështetur nga LSDM-ja, me kandidatin e Aleancës për Shqiptarët, mbështetur nga Lëvizja Besa.
Në Strugë përballen kandidati i BDI-së i mbështetur nga LSDM-ja, me kandidatin e Aleancës për Shqiptarët, të mbështetur nga Lëvizja Besa.
Njohësit e çështjeve politike thonë se zgjedhjet shihen si testi për popullaritetin e partive politike, sepse pas zgjedhjeve mund të ketë rikonfigurim të skenës politike veçanërisht pas arritjes së koalicionit mes Lëvizjes Besa dhe Aleancës për Shqiptarët.
Besa Kadriu, ligjëruese në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, për Radion Evropa e Lirë thotë se tani kemi një situatë ku BDI-ja me mbështetjen e LSDM-së synon të mbajë nën kontroll komunat që i ka drejtuar më shumë se dy apo tre mandate, dhe nga ana tjetër me arritjen e marrëveshjes për koalicion mes Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes Besa, numrat tregojnë se krijohet mundësi reale që të përmbyset epërsia që kanë shënuar kandidatët e BDI-së në raundin e parë.
Kadriu thotë se rezultati zgjedhor do të përcaktojë dhe dinamikën e vendosjes në binarë të institucioneve që të respektojnë ligjin dhe sundimin e drejtësisë.
“Vota e qytetarëve do të kontribuojë në atë që institucionet të jenë baza të shëndosha të një sistemi demokratik, dhe të funksionojë një shoqëri e mirëfilltë, e cila do të duhet më pastaj, përmes definimit të aktorëve të politikës që do t’i përcaktojë me dhënien e legjitimitetit në këto zgjedhje, të realizojë aspiratën brenda institucioneve. Dhe, këto institucione ta çojnë vendin përpara drejt atyre strukturave euro-atlantike, për të cilat Maqedonia duhet të këtë synim për të ardhmen si një nga prioritet kryesore”, thotë Kadriu.
Përderisa te pala maqedonase njohësit e çështjeve politike thonë se nuk priten risi kundrejt asaj që solli raundi parë, duke i siguruar drejtimin e 37 komunave social-demokratëve të kryeministrit Zoran Zaev, kundrejt vetëm tre që arriti të sigurojë VMRO DPMNE-ja e ish-kryeministrit Nikola Gruevski.
Nenad Markoviq, ligjërues në Fakultetin Juridik në Universitetin e Shkupit, për Radion Evropa e Lirë thotë se mund të pritej ndonjë ndryshim vetëm nëse lideri i VMRO DPMNE-së do të jepte dorëheqje menjëherë pas raundit të parë për shkak humbjes së thellë të partisë së tij.
“Mendoj se dhe në raundin e dytë, duhet pritur që të vazhdojë trendi i rënies së besimit të VMRO DPMNE-së tek elektorati, ngase nuk u ndryshua një variabël shumë e rëndësishme, e cila do të impononte ndryshimin e kësaj rrjedhe, e ajo është dorëheqja e Nikolla Gruevskit nga kreu i kësaj partie”.
“Nëse ai do ta depononte dorëheqjen e tij mes dy raundeve zgjedhore, në atë rast do të përçonte një porosi të qartë tek elektorati, veçanërisht përkrahësit e VMRO DPMNE-së se praktikisht e ka pranuar porosinë se votuesit nuk i mbështesin politikat e tij duke e dënuar me mosdhënien e votës. Mendoj se gjasat janë të vogla që të ndryshohet pasqyra e raundit të parë pra trendi që VMRO DPMNE të humbë një pjesë të madhe të komunave që i ka drejtuar një, dy, madje edhe në disa raste për tre mandate me radhë”, velrëson Markoviq.
Për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Maqedoni, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka akredituar 5.101 vëzhgues vendorë dhe të huaj, si dhe 20 gazetarë të huaj.
KSHZ-ja për raundin e dytë të zgjedhjeve ka akredituar numër shtesë të vëzhguesve dhe gazetarëve.