Në selinë e Këshillit të Bashkimit Evropian në Bruksel, është zhvilluar takimi i dytë i Këshillit të Stabilizim-Asociimit midis Bashkimit Evropian dhe Kosovës. Po në Bruksel, janë zhvilluar takime bilaterale ndërmjet Përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini dhe Komisionerit për Zgjerim, Johannes Hahn me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Ky i fundit, nuk është zotuar para zyrtarëve të lartë të BE-së rreth përmbushjes së kriterit të fundit për liberalizimin e vizave, e që ndërlidhet me ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, Ndërkaq, është zotuar se Kosova mund të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE në fund të vitit të ardhshëm.
Takimi i Këshillit të Stabilizim-Asociimit është bashkëkryesuar nga Përfaqësuesja e BE-së, Federica Mogherini dhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Ndonëse ishte planifikuar edhe një konferencë për media, ajo është anuluar në momentin e fundit me arsyetimin e Bashkimit Evropian me agjendën e ngjeshur.
Në pamundësi që mediat të kuptojnë më tepër rreth këtyre takimeve, në fund është lëshuar një komunikatë e përbashkët.
Këshilli i Stabilizim Asociimit rikujtoi se Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) është në thelb të marrëdhënieve midis BE-së dhe Kosovës. Kjo Marrëveshje, sipas komunikatës së përbashkët, siguron kornizën kontraktuale brenda së cilës Bashkimi Evropian dhe Kosova do të intensifikojnë bashkëpunimin e tyre dhe do të vlerësojnë zhvillimet në marrëdhëniet e tyre.
“Kosova theksoi vendosmërinë në angazhimin e saj për të përmbushur shpejt reformat kryesore të Stabilizim Asociimit, të identifikuara në agjendën e reformave evropiane, në koordinim të ngushtë me institucionet e BE-së, me qëllim të përparimit të vazhdueshëm në rrugën e saj evropiane”, vijon komunikata.
Këshilli i Stabilizim Asociimit shqyrtoi zhvillimet e fundit kryesore lidhur me përmbushjen e kritereve politike, si dhe gjendjen në lidhje me kriteret ekonomike, bashkëpunimin financiar dhe zbatimin e MSA-së. Ajo vuri në dukje rezultatet e Komitetit të Stabilizim Asociimit të mbajtur më 5 tetor.
Në takim u diskutua për prioritetet e reformave në kuadër të MSA-së, në fushat që përfshijnë sundimin e ligjit dhe reformat gjyqësore, respektimin e të drejtave themelore, reformën e administratës publike, zhvillimin ekonomik, arsimin dhe punësimin.
Agjenda e reformës evropiane e dakorduar së bashku duhet të shërbejë si një udhëzues për rezultatet konkrete.
Aty është theksuar rëndësia e angazhimit të vazhdueshëm në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja midis Prishtinës dhe Beogradit dhe zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të arritura pa vonesë. Janë përshëndetur përparimet më të fundit të bëra në këtë drejtim dhe u theksua nevoja që të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog të zbatohen pa vonesa të mëtejshme.
Po të premten në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, u takua me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini. Sipas një komunikate për media, Haradinaj dhe Mogherini biseduan për perspektivën dhe rrugën evropiane të Kosovës.
Kryeministri Haradinaj theksoi se me dinamikën e përcaktuar me qeverisjen e re është përshpejtuar edhe procesi i përmbushjes së Agjendës së Reformave Evropiane dhe kriteret e përcaktuara me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.
Ai tha se Kosova është e përkushtuar dhe po punon në reformat në fushën e sundimit të ligjit, në zhvillimin ekonomik, në arsim e shëndetësi dhe synon që të arrijë deri në fund të vitit 2018 statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Sipas Haradinajt, perspektiva evropiane e Kosovës duhet të jetë e qartë dhe e hapur. Edhe këtë herë, ai nënvizoi rëndësinë e përmbylljes së procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Haradinaj, vijon komunikata, tha se Kosova ka mbetur vendi i fundit dhe i vetmi në Evropë pa lirinë e lëvizjes dhe se përshpejtimi i këtij procesi do të ndihmonte qytetarët dhe vendin. Ai theksoi se Kosova ka përmbushur obligimet e saj në këtë proces dhe tha se kriteri i mbetur i Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, ka nisur të adresohet me fillimin e punës së komisionit të ri shtetëror.
Në Bruksel, Haradinaj tha po ashtu se gjetjet e komisionit në raportin përfundimtar do të analizohen dhe pas kësaj do të procedohet më tutje. Kryeministri Haradinaj tha se anëtarësimi i Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare duhet të bëhet pa pengesa.
Ai theksoi se Kosova është faktor stabiliteti dhe po dëshmon përkushtim në ndërtimin e marrëdhënieve të mira me fqinjët përfshirë edhe Serbinë, me të cilën po zhvillon dialog për normalizim marrëdhëniesh.
Kryeministri i Kosovës theksoi se dialogu duhet të riformatohet, të afatizohet dhe të përfundojë me një rezultat konkret, të njohjes reciproke ndërmjet dy shteteve.
Në takim me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini, morën pjesë edhe zëvendëskryeministri dhe ministër i Jashtëm, Behgjet Pacolli, dhe ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha.