Biserko: Platforma e Serbisë - humbje kohe

Sonja Biserko

“Beogradi nuk mund të presë më shumë se ajo që parashihet me Planin Ahtisaari që është maksimumi që mund të arrihet në rrethanat ekzistuese. Është çështje tjetër se kur Beogradi do të pajtohet me realitetin në Kosovë”, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Serbi, Sonja Biserko.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Biserko, ditë më parë Beogradi lansoi një të ashtuquajtur platformë mbi Kosovën, me të cilën kërkohet vetëqeverisje për serbët që jetojnë në Kosovë. Platforma u kundërshtua nga Prishtina, por nuk pati sinjale zyrtare nga Brukseli dhe Washingtoni. Cili është disponimi aktual i Beogradit?

SONJA BISERKO
Mendoj se kjo platformë është mjaft dekurajuese duke e ditur se çfarë pritet nga Serbia në drejtim të kandidaturës (për anëtarësim në BE). Platforma përbën një lloj regresi, sepse ajo e trajton Kosovën thuajse s’ka ndodhur asgjë në ndërkohë-nuk njihet pavarësia e Kosovës e nuk flitet për një lloj përmirësimi për jetën e serbëve në veri. Ka një konsensus për këtë në mes të presidentit dhe kryeministrit, Ivica Daçiq, por ky i fundit tha se nuk bëhet fjalë për vetëqeverisje dhe se gjatë dialogut me Prishtinën do të shqyrtoheshin aspekte të tjera.

Bashkësia Ndërkombëtare, kryesisht BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara, nuk kanë dalë me ndonjë qëndrim mbi platformë. Duket se ata nuk janë të kënaqur me këtë formë, ndërsa presin që të dalë diçka tjetër. Është mjaft e qartë që Prishtina nuk do ta pranojë këtë platformë si pikënisje, sepse shkon përtej pritjeve të tyre dhe asaj mbi të cilën është arritur pajtim në bisedimet e fundit ndërmjet dy kryeministrave të Kosovës e Serbisë.

Ka zëra këtu, si partia opozitare LDP, që thonë se platforma është një qasje joreale ndaj problemit të Kosovës dhe se është humbje kohe. Në fakt, është humbje kohe, sepse është një qasje e reduktuar nga ajo që pritej nga pala serbe lidhur me kontrollin e kufijve, telekomunikacionin, energjinë dhe të tjera. Atyre do t’u duhej të merren me këto çështje, por jo për tërë komunitetin serb në Kosovë.

Serbët në jug të Ibrit kanë zgjedhur ritmin e tyre në integrimin në institucionet kosovare, ndërsa kanë kundërshtuar gjithashtu këtë lloj manipulimi të Beogradit. Pra, kjo mund të jetë një pikënisje për negociata brenda korpusit serb në Beograd.

E dimë se ka qëndrime të ndryshme duke nisur nga Partia Demokratike e Serbisë, pastaj progresistët që kanë qenë shumë aktivë në veri të Kosovës, dhe Ivica Daçiq që ishte radikal gjatë vitit të kaluar, por që ka një qasje me racionale tani. Ky mund të jetë një indikacion për nevojën që Serbia të lëvizë drejt njohjes së realitetit në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Bisedimet ndërmjet Prishtinës e Beogradit janë caktuar të vazhdojnë në janar. A mendoni se pas publikimit të platformës, do të ketë vazhdim të dialogut?

SONJA BISERKO
Jo mbi bazën e kësaj. Prishtina dhe Beogradi i kanë bërë të qarta qëndrimet e tyre. Pritet që Beogradi të lëvizë përpara dhe do të jetë e rëndësishme të shihet se si Ivica Daçiq do ta trajtojë këtë platformë dhe se si do t’i qaset Prishtinës gjatë javëve të ardhshme. Kemi para vetes një pauzë - Kërshëndellat, Viti i Ri dhe festat e fundvitit, por pastaj Beogradi duhet të ndryshojë qasjen ndaj Kosovës nëse dëshiron ta marrë nisjen e negociatave për anëtarësim në BE.

RADIO EVROPA E LIRË
Para nisjes së dialogut ndërmjet kryeministrit, Hashim Thaçi, dhe homologut të tij serb, Ivica Daçiq, përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Catherine Ashton, pati thënë se palët duhet të jenë të gatshme për “vendime të vështira”. A po lëvizin gjërat drejt “vendimeve të vështira” për veriun e Kosovës?

SONJA BISERKO
BE-ja dhe Washingtoni janë mjaft të qartë në pritjet e tyre: 1. Kosova është e pavarur, 2. presin përmirësime vetëm për serbët në veri të Kosovës, por jo Republika Srpskan, të cilën e synon Beogradi.

Andaj, bëhet fjalë për korrektimin e Planit të Ahtisaarit që është maksimumi për cilindo minoritet. Mendoj se minoritetit serb në Kosovë i është ofruar maksimumi që mund t’i ofrohej ndonjë minoriteti në Ballkan apo kudo tjetër.

Beogradi duhet t’u përshtatet kërkesave dhe pritjeve nga ai, ndoshta me një terminologji tjetër, sepse oferta e tij nuk është e pranueshme si pikënisje. Atyre u duhet mbështetja financiare nga BE-ja dhe për ta marrë atë, ata duhet të ndryshojnë qëndrimin e tyre.

Ne shpresojmë që kjo të ndryshojë brenda javëve të ardhshme, edhe pse me duhet të them se është një lloj matje e pulsit të Bashkësisë Ndërkombëtare për gatishmërinë e tyre për ta pranuar statusin e Republika Srpskas, gjë që, sipas të gjitha indikacioneve, nuk do ta bëjnë. Andaj, (Beogradi) nuk ka zgjidhje tjetër, pos ta drejtojë vendin kah marrja e datës për negociata për anëtarësim në BE që është shumë e rëndësishme për zhvillimin e ardhshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse jo Republika Srpska, a ka mbetur ndonjë opsion për ndonjë status tjetër special për veriun?

SONJA BISERKO
Nëse më pyesni mua, them se ata kanë tashmë ofertën mbi tryezë dhe do të duhej ta merrnin atë - pra, Planin e Ahtisaarit. Ky është maksimumi që mund të marrë ndonjë minoritet. Me këtë plan veç se njihet entiteti i ndarë i veriut. Ata nuk do të mund të përfitojnë një gjyqësor apo polici të pavarur, meqë këto duhet të jenë të ndërlidhura me Prishtinën. Atyre u garantohet një sistem i pavarur i arsimit dhe shëndetësisë që do të mbështetej nga Beogradi.

Këto, pra, nuk ndërlidhen me institucionet e rëndësishme që duhet të mbesin nën kontrollin e Prishtinës, sikurse që do të mbetet kontrolli territorial.

Beogradi nuk mund të presë më shumë dhe ky është maksimumi që mund të arrihet në rrethanat ekzistuese. Është çështje tjetër se kur Beogradi do të pajtohet me realitetin në Kosovë.