Nënpresidentja amerikane, Kamala Harris gëzon “shëndet të shkëlqyer”, dhe “ka qëndrueshmëri fizike dhe mendore” për të shërbyer si president, ka thënë mjeku i saj në një letër të publikuar të shtunën, duke përmbledhur historikun për shëndetin e saj.
Doktor Joshua Simmons, kolonel i ushtrisë amerikane dhe mjek i nënpresidentes, ka shkruar se Harris, 59-vjeçare, gëzon shëndet të plotë, jetë aktive dhe që kontrollet e saj të fundit, të kryera në prill, tregojnë që gjithçka është në rregull.
Këshilltarët e Harrisit shpresojnë të përdorin këtë moment për të bërë dallimin me republikanin, Donald Trump, i cili ka publikuar informacion të kufizuar për shëndetin e tij, ndër vite, dhe ka rritur dilemat për gjendjen që ka, sipas një ndihmësi të fushatës së Harrisit, që ka folur në kushte anonime.
SHIKONI EDHE: Obama u bën thirrje burrave me ngjyrë që ta përkrahin HarrisinTrump ka publikuar informacione të kufizuara edhe pas atentatit kundër tij në korrik, kur ka pësuar gërvishtje në vesh.
Trump, 78-vjeçar, e ka përmendur shumë shpesh gjendjen shëndetësore të presidentit aktual, Joe Biden, 81-vjeçar, kur ky i fundit pati vendosur të rikandidonte për një mandat të ri.
Prej kur Biden është zëvendësuar nga Harris, gjendja shëndetësore e Trumpit ka marrë më shumë vëmendje.
Në nëntor të vitit të kaluar, Trump e ka festuar ditëlindjen, duke e publikuar një letër të dërguar nga mjeku i tij, që ish-presidenti është në gjendje të “shkëlqyer” fizike dhe mendore.
Në letrën e postuar nga Trumpi nuk ka pasur hollësi që kanë mbështetur pretendimet e tij.
Harris, demokrate, dhe Trump, republikan, do të përballen në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit në SHBA.
Gara aktualisht është shumë e ngushtë mes dy palëve.