Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovë, Ramush Hardinaj, ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, praninë e një përfaqësuesi të Shteteve të Bashkuara në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Takimi mes Haradinajt dhe Kurtit është realizuar të martën pas ftesës që kryeministri Kurti u ka dërguar tre liderëve të partive opozitare në Kuvendin e Kosovës, për siç ka thënë, bisedë për “shërbim të mirinformimit dhe bashkërendimit të spektrit politik për çështje në interes të Kosovës”.
Ai nuk ka cekur konkretisht se për çka do të bisedohet, mirëpo opozita e ka parë këtë thirrje si iniciativë të Kurtit për të folur për bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, për të gjetur një zgjidhje përfundimtare mes dy vendeve.
“Ajo që po hetojmë është mungesa e prezencës së Shteteve të Bashkuara në dialog, mendojmë se kjo është situatë jo e mirë për Kosovën, e prish balancin e interesave të Kosovës në dialog. Do të ishte shumë me dobi një emisar, një i ngarkuar nga SHBA-ja, në këtë rast nga presidenti (amerikan) Joe Biden që të ngarkojë dikë që përfaqëson Amerikën në temën e dialogut” ka thënë Haradinaj.
SHIKONI EDHE: Opozita, as brenda, as jashtë dialogutSipas një komunikate të kryeministrisë, Kurti e ka njoftuar Haradinajn për takimet që ka pasur me përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Evropian në Bruksel dhe për përgatitjet për procesin e dialogut të ardhshëm me Serbinë.
Të mërkurën është paralajmëruar takimi mes Kurtit dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, derisa ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike, Enver Hoxhaj, ka refuzuar thirrjen për takim.
Në muajin qershor pritet të mbahet një takim mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Vetë Kurti ka theksuar disa herë se nuk do të zhvillojë takimet në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, pa u konsultuar me spektrin politik në Kosovë.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të BE-së, ka nisur më 2011 në Bruksel.