Haradinaj jep dorëheqje, ftohet nga Gjykata Speciale

Ramush Haradinaj pas dorëheqjes nga posti i kryeministrit.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dhënë dorëheqje.

Këtë vendim ai e bëri publik në mbledhjen e rregullt të Qeverisë së Kosovës.

Arsyeja e dorëheqjes, siç tha Haradinaj, është sepse ai ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale në Hagë, në cilësinë e të dyshuarit.

“Arsyeja e këtij vendimi është se kam marrë thirrje të paraqitem për t’u marrë në pyetje nga Dhomat e Specializuara në Hagë si i dyshuar”, tha Haradinaj.

Ai tha se nderi i postit të kryeministrit duhet të ruhet dhe se ai do të paraqitet në Hagë për intervistim.

“Shteti im është Kosova, Kosova e paprekshme, me multi-etnicitet, me shumëgjuhësi, me territor e kufij. Kosovës i bëhet presion i padrejtë për çmimin e njohjes nga Serbia, ndarja apo 'Dodik Republika' janë të papranueshme”, tha Haradinaj.

*Letra e dorëheqjes e postuar në rrjetin social, Facebook

"Mendoj se me ketë dorëheqje, Qeveria në dorëheqje i kryen detyrat e veta deri në formimin e Qeverisë së re, pas zgjedhjeve të lira. Tani përgjegjësia kalon të presidenti, që ai të fillojë konsultat dhe të caktojë datën e zgjedhjeve me partitë politike. Ato janë afate kohore kushtetuese. Unë i ofrohem popullit prapë për të marr besimin për shkak se nuk jam i akuzuar, por jam i intervistuar dhe aq sa më jep populli besim, do ta respektoj", u shpreh Haradinaj.

Your browser doesn’t support HTML5

Haradinaj jep dorëheqje

"Tani janë dy aspekte, mund të flasim për pjesën politike ose ligjore, unë do të respektoj pjesën ligjore në tërësi, do të paraqitem e do të kryej detyrat e mia, pastërtinë time të një luftuari shqiptar, të nderit tim, të familjes sime, do ta mbroj Kosovën si luftëtar i vendit tim".

"Ndërsa, pjesa politike e të tjera mendoj se është shumë gabim që po provohet t'i kërkohet Kosovës një çmim i papërballueshme për njohje ose arritjen e një marrëveshjeje. Mendoj se është gabim prej lidershipit të Kosovës të japë oferta të gabuara - duhet të bëhet kujdes", tha ai.

Ai porositi që taksa e vendosur ndaj Serbisë nga Qeveria e Kosovës nën drejtimin e tij, duhet të mbetet në fuqi.

Çfarë pritet të ndodhë tash me Qeverinë?

Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Neni 95, Pika 5, thotë:

"Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë".

Haradinaj theksoi se Qeveria e Kosovës duhet të funksionojë në dorëheqje deri në caktimin e zgjedhjeve të lira.

Haradinaj tha se dorëheqja e tij është e parevokueshme dhe se për këtë vendim, do t’i informojë edhe krerët e institucioneve të Kosovës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar duke shprehur keqardhje për ftesat që disa ish-komandantë të UÇK-së kanë marrë për intervistim nga Dhomat e Posaçme për krime lufte në Hagë.

"Me keqardhje mësova që Gjykata Speciale ka ftuar për intervistim ish-shefin e Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi, njëherësh këshilltar i imi, ish-komandantin e Zonës Operative të Dukagjinit, kryeministrin Ramush Haradinaj, si dhe disa ish-eprorë të tjerë të UÇK-së", ka shkruar presidenti Thaçi.

Kjo nuk është hera e parë që Haradinaj jep dorëheqje.

Më 8 mars, të vitit 2005, vetëm pak muaj pasi kishte marrë detyrën, ai pati dhënë dorëheqje pas aktakuzës së parë të ngritur ndaj tij nga Tribunali i Hagës për krime lufte në territorin e ish-Jugosllavisë.

Ai ishte dorëzuar vullnetarisht në Gjykatën e Hagës. Në vitin 2008, Gjykata e Hagës e shpalli atë të pafajshëm. Katër vjet pas u bë rigjykimi i tij, po në Tribunalin e Hagës. Por, në vitin 2012, Ramush Haradinaj sërish u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat që e ngarkonin atë për krime lufte.

Një proces tjetër ndaj tij u ndoq edhe më 2017, por kësaj radhe në Colmar të Francës,ku autoritetet franceze, më 4 janar, e ndaluan atë mbi bazën e një urdhër-arresti të lëshuar nga Serbia për krime lufte. Por, pas një procesi gjyqësor ndaj tij, drejtësia franceze e kishte liruar atë më 27 prill.

Ramush Haradinaj u zgjodh për herë të dytë në postin e kryeministrit të Kosovës më 9 shtator, 2017.

Çka është Gjykata e Posaçme e Kosovës?

Your browser doesn’t support HTML5

Çka është Gjykata Speciale e Kosovës?

​* Reagimet pas dorëheqjes së Haradinajt mund t'i gjeni këtu.