Çfarë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve?

Ndërtesa e Kuvendit dhe Presidencës së Kosovës. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Ndërtesa e Kuvendit dhe Presidencës së Kosovës. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Pasditen e 27 marsit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të bëjë certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të përgjithshme të 9 shkurtit, duke i hapur kështu rrugë formimit të institucioneve të reja.

Certifikimi bëhet pasi kanë kaluar të gjitha afatet e ankesave të partive dhe kandidatëve për deputetë në Panelin për Ankesa dhe Parashtresa dhe në Gjykatën Supreme.

Procedurat për formimin e institucioneve të reja janë të parapara në Kushtetutë dhe ligje të tjera.

Fillimisht, para se të certifikohen rezultatet, anëtarët e Qeverisë aktuale të udhëhequr nga Albin Kurti, që kanë fituar votat e mjaftueshme për postin e deputetit, sipas Ligjit për qeverinë, duhet të japin dorëheqje "para ditës së certifikimit".

Partia e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje, është fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit.

SHIKONI EDHE: Zgjedhjet parlamentare 2025: Kurti shpall fitoren

Konstituimi i Kuvendit të ri të Kosovës

Menjëherë pas certifikimit të rezultatateve të zgjedhjeve hapi i parë nuk është formimi i Qeverisë, por ai i konstituimit të përbërjes së re parlamentare.

Sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, pas certifikimit të rezultatateve të zgjedhjeve presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duhet që brenda 30 ditësh të thërrasë seancën konstituive të Kuvendit.

Gjatë kësaj seance, deputetët e rinj bëjnë betimin dhe më pas zgjedhin kryetarët dhe nënkryetarët.

*Video nga arkivi: Hapat drejt formimit të Qeverisë së re

Your browser doesn’t support HTML5

Rruga deri në formimin e Qeverisë së re

Posti i kryetarit të Kuvendit i takon partisë së parë në zgjedhje, në këtë rast LVV-së. Ndërkaq, partitë më të mëdha politike propozojnë një kandidat për nënkryetar, por edhe deputetët e komunitetit serb dhe ata të komuniteteve joshumicë, duhet të propozojnë nga një deputet për postin e nënkryetarit.

Kryetari dhe nënkryetarët zgjidhen me shumicë të votave. Seanca konstituive, sipas Rregullores së Kuvendit, përfundon me zgjedhjen e tyre.

“Ndërprerjet gjatë seancës konstituive nuk mund të jenë më të gjata se 48 orë”, thuhet në Nenin 12, pika 5 e Rregullores së Kuvendit.

Kufizimi i kompetencave të ekzekutivit aktual

Me konsitituimin e Kuvendit, hapet rruga për formimin e ekzekutivit të ri. Por, në këtë periudhë të ndërmjetme – pra nga konstituimi i përbërjes së re parlamentare e deri te formimi i ekzekutivit të ri – Qeverisë aktuale i kufizohen kompetencat.

Këto kufizime parashihen në nenin 31 të Ligjit për Qeverinë.

SHIKONI EDHE: Çfarë kompetencash ka Qeveria aktuale e Kosovës?

Në këtë nen thuhet se Qeveria nuk ka të drejtë të miratojë nisma apo të nënshkruajë marrëveshje ndërkombëtare, për të cilat kërkohet ratifikimi i Kuvendit, nuk mund të miratojë ligje, strategji e koncept-dokumente, nuk mund të propozojë kandidatë për poste të caktuara, e as të emërojë njerëz në pozita publike.

Qeveria e re

Në këtë periudhë, presidentja Osmani, sipas ligjeve obligohet të nominojë partinë fituese si mandatare për formimin e Qeverisë së re.

Kabineti qeveritar i propozuar duhet t'i sigurojë votat e 61 deputetëve.

Sipas rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ-ja më 15 mars, LVV-ja ka fituar 42.30 për qind, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 20.95 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me 18.27 për qind.

Në vendin e katërt është koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate me 7.06 për qind.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ka siguruar 4.26 për qind të votave.

Me këto përqindje, LVV-ja i ka siguruar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK-ja, 24 sosh, LDK, 20 vende, Lista Serbe nëntë vende dhe koalicioni AAK-Nisma, tetë vende.

Si do të duket Kuvendi i ardhshëm i Kosovës?

Pra, i bie që asnjëra parti nuk do të mund të formojë vetëm Qeverinë, por për ekzekutivin e ri do të duhet të formohen koalicione.

Sa i përket koalicioneve, LVV-ja ka thënë se preferon ta formojë Qeverinë me partitë joshumicë – të cilat kanë dhjetë ulëse të garantuara në Kuvendin e Kosovës.

SHIKONI EDHE:

Kurti: Qeveria e re do të udhëhiqet nga LVV-ja dhe unëKonjufca: Qeverinë synojmë ta formojmë me partitë joserbe

Partitë e mëdha shqiptare po ashtu janë shprehur kundër bashkëpunimit për ekzekutivin e ri me LVV-në. Por, Kurti ka shprehur bindjen se do të udhëheqë qeverinë e re.

Megjithatë, nëse LVV-ja dështon të sigurojë mbështetjen e 61 deputetëve, atëherë presidentja Osmani është e obliguar që brenda dhjetë ditësh të ftojë në konsultime partitë politike.

Pas konsultimeve, është në diskrecionin e saj për të vendosur për mandatarin e ri, nëse ai dëshmon se ka numrat për të formuar ekzekutivin.

SHIKONI EDHE: Qeveria ende e paarritshme

Mandatari më pas i ka 15 ditë kohë që t’i paraqesë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar.

Por, nëse Qeveria nuk formohet as pas tentimit të dytë, atëherë presidentja Osmani, sipas nenit 95 të Kushtetutës, duhet të shpallë zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë.

Zgjedhjet e 9 shkurtit ishin zgjedhjet e para të rregullta parlamentare të mbajtura në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë.