Hamasi - grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian - ka thënë se është duke e shqyrtuar ofertën e Izraelit për një armëpushim 40-ditor në luftën në Rripin e Gazës.
Duke u kthyer në Katar pas bisedimeve të fundit në Kajro, delegacioni i Hamasit tha se do t'i "diskutojë idetë dhe një propozim".
"Ne duam të përgjigjemi sa më shpejt të jetë e mundur", tha një burim i Hamasit për AFP-në, në kushte anonimiteti.
Burime egjiptiane i thanë Al-Qahera News, një faqe e lidhur me shërbimet e inteligjencës egjiptiane, se delegacioni i Hamasit do të "kthehej me një përgjigje me shkrim".
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i përshkroi kushtet e armëpushimit si "jashtëzakonisht bujare", ndërsa Shtëpia e Bardhë u kërkoi kolegëve ndërmjetësues - Egjiptit dhe Katarit - të rrisin presionin ndaj Hamasit për të pranuar përpjekjen e fundit për t'i dhënë fund luftës gati 7-mujore.
Presidenti amerikan, Joe Biden, u bëri thirrje udhëheqësve egjiptianë dhe atyre të Katarit "të bëjnë çdo përpjekje për të siguruar lirimin e pengjeve që po mbahen nga Hamasi", duke e quajtur atë "pengesën e vetme" për sigurimin e ndihmës për civilët në Rripin e rrethuar të Gazës.
SHIKONI EDHE: Blinken i kërkon Hamasit të pranojë propozimin e Izraelit për armëpushim në GazëPër muaj të tërë, Egjipti, Katari dhe Shtetet e Bashkuara janë përpjekur të sigurojnë një marrëveshje të re.
Gjatë një armëpushimi që zgjati një javë në nëntor, 80 pengje izraelite u shkëmbyen për 240 palestinezë të mbajtur në burgjet izraelite.
Bombardimet izraelite kanë shkatërruar Gazën e kontrolluar nga Hamasi, duke rrafshuar pjesën më të madhe të territorit dhe duke e çuar popullin e saj në prag të urisë.
Në qytetin jugor të Rafahut, palestinezët janë të dëshpëruar nga lufta teksa po vazhdojnë kërkimet për viktimat nga sulmi i fundit.
“Civilët që nuk kanë lidhje me Hamasin apo ndonjë grup tjetër, u goditën nga një raketë, u copëtuan”, tha Um Louay Masri, në një ndërtesë të shkatërruar ku fëmijët po nxirreshin nga rrënojat.
Izraeli është zotuar të nisë një sulm ndaj batalioneve të Hamasit në Rafah, ku shumica e 2.4 milionë banorëve të Gazës kanë kërkuar strehim.
Por, ministri i Jashtëm, Israel Katz, gjatë fundjavës tha se qeveria mund ta "pezullojë" atë operacion nëse arrihet një armëpushim.
SHIKONI EDHE: Hamasi thotë se po e shqyrton propozimin e Izraelit për armëpushim në GazëDuke folur në Riad gjatë vizitës së tij të shtatë në rajon që nga fillimi i luftës së Gazës, diplomati i lartë amerikan, Blinken, theksoi nevojën që Hamasi "të vendosë shpejt" për një armëpushim.
Ai tha në një takim special të Forumit Ekonomik Botëror se "shpreson të marrë vendimin e duhur", ndërsa ministri i Jashtëm egjiptian, Sameh Shoukry, tha se "propozimi kishte parasysh pikëpamjet e të dyja palëve".
“Ne shpresojmë kështu”, shtoi ai.
Një burim i Hamasit i tha AFP-së se grupi ishte për një marrëveshje që "garanton një armëpushim të përhershëm, kthimin e lirë të të zhvendosurve, një marrëveshje të pranueshme për [shkëmbimin e të burgosurve dhe pengjeve] dhe fundin e rrethimit" në Gazë.
Izraeli vlerëson se 129 pengje mbeten ende në Gazë, duke përfshirë 34 që besohet të jenë të vdekur.
Sulmi i Hamasit rezultoi me vdekjen e rreth 1.170 njerëzve në Izrael, shumica prej tyre civilë.
Ofensiva hakmarrëse e Izraelit vrau të paktën 34.488 njerëz në Gazë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në territorin e kontrolluar nga Hamasi.