Hamasi i liron dy pengje izraelite

Yocheved Lifshitz dhe Nurit Cooper, të cilat ishin mbajtur peng nga grupi militant Hamas, lirohen nga militantët siç shihen në këtë fotografi të shkëputur nga një video e Reuters më 23 tetor 2023.

Hamasi i ka liruar të hënën dy gra të moshuara izraelite të cilat po mbaheshin peng në Gaza.

Qeveria e Izraelit njoftoi të hënën vonë se Nurit Cooper, 79 vjeçe, dhe Yocheved Lifshitz, 85 vjeçe, u liruan “nga duart e organizatës terroriste, Hamas”.

Lifshitz dhe Cooper u dërguan në pikëkalimin kufitar me Egjiptin, Rafah, nga ku u morën me ambulanca, sipas pamjeve të shfaqura nga televizioni egjiptian.

SHIKONI EDHE: Izraeli thotë se lufta në Gazë do të zgjasë disa muaj

Ato, bashkë me bashkëshortët e vet, u rrëmbyen nga shtëpitë e veta në qytetin afër kufirit me Gazën, Nir Oz, nga militantët e Hamasit gjatë sulmit të tërbuar të 7 tetorit.

Bashkëshortët e tyre, të moshës 83 dhe 84 vjeçe, nuk janë liruar.

Raportohet se Hamasi nuk ka marrë asgjë në këmbim për lirimin e dy pengjeve, të cilat u lanë të lira pak ditë pasi Hamasi i kishte liruar një grua amerikane me të bijën.

SHIKONI EDHE: Hamasi liron dy pengje amerikane

Hamasi dhe grupet e tjera militante në Gaza besohet i rrëmbyen rreth 220 njerëz, përfshirë një numër të pakonfirmuar të të huajve dhe personave me dyshtetësi.

Izraeli është zotuar se do ta shkatërrojë Hamasin. Ndërkohë, luftëtarët e mbështetur nga Irani nëpër rajon kanë paralajmëruar për një përshkallëzim të mundshëm të luftës, përfshirë sulmimin e forcave amerikane të zhvendosura në Lindjen e Mesme, nëse Izraeli e nis ofensivën tokësore në Gazë.

SHIKONI EDHE: Çfarë dihet për pengjet e Hamasit?