Grupi palestinez, Hamas, i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, është përgjigjur ndaj një propozimi për një marrëveshje për armëpushim dhe lirim të pengjeve.
Përgjigja e grupit radikal palestinez është publikuar në një media libaneze.
Dokumenti, autenticiteti i të cilit është konfirmuar nga zyrtarët, ofron pamjen më të qartë deri më tani të kërkesave të grupit radikal në këmbim të lirimit të më shumë se 100 pengjeve që po mban në Gazë.
Përgjigja ndaj planit të hartuar nga Shtetet e Bashkuara, Izraeli, Katari dhe Egjipti parasheh një marrëveshje prej tri fazash, që do të zbatohej në një periudhë prej katër muajsh e gjysmë, duke çuar drejt fundit të luftës dhe lirimit të të gjitha pengjeve.
Propozimi i Hamasit në mënyrë efektive do të linte në pushtet në Gazë grupin radikal dhe do t’i mundësonte që të rindërtonte aftësitë e tij ushtarake, një skenar që Izraeli e refuzon me vendosmëri.
Në fazën e parë prej 45 ditësh, Hamasi do të lironte gratë dhe fëmijët e mbetur, por edhe burrat e moshuar dhe ata të sëmurë, në këmbim të lirimit të të gjitha grave, fëmijëve, të sëmurëve dhe të burgosurve të moshuar që mbahen nga Izraeli. Izraeli do të lironte edhe 1.500 të burgosur palestinezë, përfshirë edhe 500 persona, që Hamasi specifikisht kërkon lirimin e tyre, që me gjasë janë luftëtarë të grupit radikal profilit të profilit të lartë, të cilët po qëndrojnë në burgjet izraelite të dënuar me burgim të përjetshëm.
SHIKONI EDHE: Katari: Hamasi me përgjigje përgjithësisht pozitive ndaj propozimit për armëpushimIzraeli do të tërhiqte forcat e tij nga qendrat e populluara, do të ndalte operacionet ajrore dhe do të lejonte që në Gazë të dërgohej më shumë ndihmë humanitare dhe të niste rindërtimi. Po ashtu, propozimi parasheh që personat e zhvendosur të lejohen të kthehen në shtëpitë e tyre, përfshirë në veri të Gazës, dhe të hapen të gjitha vendkalimet.
Në fazën e dytë, e cila do të negociohej teksa do të zhvillohej faza e parë, Hamasi do të lironte pengjet e mbetura, kryesisht ushtarë dhe burra civilë, në këmbim të lirimit të më shumë pengjeve dhe Izraeli do të kompletonte tërheqjen nga Gaza. Të dyja palët do të këmbenin pengjet e vrara dhe të burgosurit e vrarë gjatë fazës së tretë, e cila do të hapte rrugën për një armëpushim afatgjatë.
Një zyrtar i Hamasit dhe dy zyrtarë të Egjiptit konfirmuan autenticitetin e dokumentit të publikuar nga gazeta në Liban, Al-Akhbar, raporton Associated Press.
SHIKONI EDHE: Ku qëndrojnë palët rreth arritjes së një marrëveshjeje armëpushimi në Gazë?Kjo gazetë libaneze është e afërt me grupin libanez, Hezbollah, që është aleat i Hamasit.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ndërkaq, u takua me udhëheqësit izraelitë për t'i informuar për zhvillimet rreth një marrëveshjeje armëpushimi, pasi Hamasi shpalosi planin e detajuar për këtë çështje.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se lufta do të vazhdojë deri në “fitoren e plotë” ndaj Hamasit dhe rikthimin e të gjitha pengjeve të mbetura.
Blinken, i cili po zhvillon vizitën e pestë në rajon që kur nisi lufta më 7 tetor, po tenton që të avancojë arritjen e një armëpushimi në Gazë dhe normalizimin e raporteve mes Arabisë Saudite dhe Izraelit, në këmbim “të një rruge të qartë dhe të besueshme drejt themelimit të një shteti palestinez”.
Netanyahu kundërshton fuqishëm shtetësinë palestineze.
Lufta mes Izraelit dhe Hamasit – që është konflikti më vdekjeprurës mes palëve në histori – nisi pasi Hamasi kreu sulm më 7 tetor në jug të Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë.
Izraeli u kundërpërgjigj me një ofensivë tokësore, ajrore dhe detare në Rripin e Gazës, shtëpi e 2.3 milionë palestinezëve. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi, deri më tani janë vrarë mbi 27.000 palestinezë. Kjo ministri nuk bën dallimin mes civilëve dhe luftëtarëve të vrarë, por ka thënë se shumica e viktimave ishin gra dhe fëmijë.