"Gylenistët", kusht i Ankarasë për Maqedoninë e Veriut në NATO?

Ceremonia e ngritjes së flamurit të NATO-s para Qeverisë në Shkup. 12 shkurt, 2019.

Autoriteteve të Maqedonisë së Veriut u bëhet thirrje që të veprojnë në përputhje me ligjet vendore dhe marrëveshjet ndërkombëtare sa i përket kërkesës së Turqisë për dorëzimin e personave, që sipas Ankarasë, kanë lidhje me Lëvizjen Hizmet të klerikut fetar Fetullah Gulen, apo siç e quan Turqia, “organizata terroriste FETO”, e akuzuar për tentimet e dështuara për puç në vitin 2016.

Kështu thotë ish-ministri i Punëve të Brendshme, Pavle Trajanov, në mungesë të informacioneve zyrtare lidhur me bisedimet e së mërkurës në Shkup ndërmjet ministrit të Mbrojtjes të Turqisë, Hulusi Akar, dhe ministres së Mbrojtjes të Maqedonisë së Veriut, Radmilla Sheqerinska.

“Me sa unë jam në rrjedha me këto zhvillime, Qeveria jonë, Ministria e Punëve të Brendshme dhe institucionet tjera, insistojnë në procedura gjyqësore. Kjo do të thotë se nëse për cilindo qoftë person në Turqi udhëhiqen procese gjyqësore, apo nëse ndaj tyre ka fletë-arreste ndërkombëtare, atëherë organet tona janë të detyruara t’u përgjigjen kërkesave të tyre në mënyrë adekuate duke pasur për bazë konventat ndërkombëtare”, ka thënë Trajanov.

SHIKONI EDHE: Turqia i kërkon Shkupit dorëzimin e gylenistëve

Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska, duke komentuar deklaratën e homologut të saj turk se ka listën me emrat e personave që duhet të dorëzohen tha se me ministrin Akar “është biseduar në drejtim të zgjidhjes së problemeve dhe sfidave, me të cilat përballen dy vendet, përfshirë edhe çështjen e ngritur".

"Nuk kemi biseduar për afate, çështje ditësh apo javësh, por për çështje që janë të rëndësishme për dy vendet”, ka deklaruar të mërkurën, Sheqerinska.

Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Pavle Trajanov, e vlerëson si jo të drejtë apo në kundërshtim me normat ligjore dorëzimin e tyre vetëm mbi bazën e supozimeve për përfshirjen e tyre në ndonjë veprimtari kundërligjore.

“Ne nuk mund të veprojmë vetëm në bazë të ndonjë emri, apo të ndonjë liste për arrestime. Mendoj se vendi ynë, si anëtar i NATO-s dhe aspiruese për anëtarësim në BE, nuk mund të veprojë në bazë të ndonjë kërkese të tillë. Pra, duhet respektuar normat ndërkombëtare. Ajo mund të veprojë vetëm nëse ka një procedurë juridike dhe atëherë ajo mund të vendosë nëse dikush do të ekstradohet ose jo. Kjo do të ishte shkelje e të drejtave ndërkombëtare, të drejtave të njeriut. Nuk është e mjaftueshme që emri i dikujt të jetë në listë dhe ne ta dorëzojmë. Diçka të tillë vështirë se do ta pranojë vendi ynë”, ka theksuar Trajanov.

Ministrja e Mbrojtjes, Sheqerinska, kishte deklaruar se nuk pret përkeqësim të raporteve me Turqinë, përkundrazi, pret së shpejti ratifikimin e protokollit për anëtarësim në NATO.

Por, Erol Rizaov, njohës i çështjeve politike, ka thënë se në politikë gjithçka është e mundur. Sipas tij, kërkesa e palës turke për dorëzimin e "gylenistëve" duhet të zgjidhet në kuadër të ligjeve ekzistuese të Maqedonisë së Veriut.

“Në politikë gjithçka është e mundur, por nëse gjithë procesin e analizojmë me koka të ftohta, apo nëse shohin rrjedhën e deritanishme të raporteve mes dy vendeve, diçka e tillë nuk do të duhej të ndodhte. Kjo duhet të trajtohet nga institucionet tona nëse do të pranojnë ose jo diçka të tillë dhe nëse kërkesat e tilla janë ose jo në përputhje me ligjet tona”, ka thënë Rizaov, duke i vlerësuar si shumë të mira të raporteve ndërmjet Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut.

SHIKONI EDHE: Kush janë gylenistët?

Çështja e strukturave që konsiderohen të afërta me klerikun Fetullah Gulen, në Maqedoninë e Veriut, ishte hapur para tre vjetësh , por autoritetet e Shkupit nuk iu përgjigjën kërkesës së Ankarasë dorëzimin e tyre.

Ndërkohë, agjencia turke Anadolu kishte publikuar një listë me emrat e shkollave dhe firmave të afërta me klerikun Gulen, si shkollat fillore dhe të mesme “Jahja Kemal”, javorja “Zaman Maqedoni”, organizata “Sedef”, agjencia në fushën e turizmit “Bashak”, një zinxhir i marketeve “EVAR’, shoqata e individë të tjerë.