Guardian: Një mësim nga Serbia

Një mbështetës i Tomisllav Nikolliqit feston zgjedhjen e tij si president me simbole ultra-nacionaliste...

Guardian


Shkruan: Misha Glenny

Vetëm dy javë pas tërmetit politik në Greqi, Serbia tani ka shënuar dridhje të forta, me humbjen e tash presidentit në largim Boris Tadiq, kundrejt atij që njihej si nacionalist ekstrem.

Zgjedhjet mund të duken si një çështje lokale e Serbisë, por ato kanë potencial të shndërrohen në një problem rajonal dhe Evropian. Përveç dramave që kanë rrethuar Tribunalin e Hagës për krime lufte, rajoni i Ballkanit në vitet e fundit ka qenë larg vëmendjes publike.

Por, disa nga problemet më thelbësore politike dhe kushtetuese të vendeve të Ballkanit mbeten të pazgjidhura.

Dhe tani, ndikimi koroziv i recesionit dhe kriza në euorozonë rrezikon t’i “helmojë” edhe më shumë disa nga këto çështje të pazgjidhura.

Dridhjet nga tërmeti janë ndjerë përtej Beogradit, sepse presidenti i ri, Tomisllav Nikolliq, dikur ishte shërbyes besnik dhe pasardhës i Vojisllav Sheshelit, liderit të vetëshpallur të lëvizjes vrastare çetnike, i cili gjendet në gjykim në Hagë që nga viti 2007.

Tani, politikanët jashtë Serbisë po mbajnë frymën. A do të lejojë Nikolliqi shpërthimin e paragjykimeve që ka dhe të lëkund stabilitetin rajonal?

Në të ardhmen e afërt, kjo edhe mund të mos ndodhë.

Perëndimi, Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Gjermania veçanërisht, kanë investuar përpjekje të konsiderueshme diplomatike për ta bindur Nikolliqin që të shkëputet nga Shesheli, duke argumentuar se nëse nuk e përqafon rrugën drejt Bashkimit Evropian, au do të mbetet gjithmonë një figurë e margjinalizuar.

Në prononcimet e tij të para, Nikolliq ka thënë se “Gjermania ka qenë aleati më i rëndësishëm politik i Serbisë”, një deklaratë befasuese kjo marrë parasyshë vërejtjen që Angela Merkel i ka dhënë Serbisë, për të zbutur pozicionin e saj karshi Kosovës nëse dëshiron të arrijë synimin për anëtarësim në bllokun evropian.

Dhe pavarësisht kësaj, fitorja e Nikolliqit, e kombinuar me ngritjen shqetësuese të popullizmit në Hungari, në kufi me Serbinë, duhet të shihet si një thirrje alarmi për BE-në.

Kriza në euorozonë ka dëshmuar ngritjen e partive nacionaliste, e madje edhe fashiste në shumë pjesë të kontinentit. Me një shkallë ndër më të lartat të papunësisë dhe varfërisë, vendet e Ballkanit janë të hapura për këtë sëmundje lemeritëse.

Vërtetë dikush mund të lavdërojë elektoratet në Ballkan që kanë rezistuar deri më tash të joshen nga nacionalizmi, por nëse ekonomitë e tyre zbehen edhe më shumë, ashtu siç është parashikuar, zgjidhjet nacionaliste do të fillojnë të parapëlqehen më shumë.

Bosnja, Serbia, Kosova dhe Maqedonia janë ende në betejë me çështjet filozofike të identitetit politik dhe stabiliteti mund të pësojë goditje. Kjo është vetëm edhe një arsye e fortë pse liderët evropianë duhet të përballen me krizën dhe të stimulojnë zhvillimin ekonomik.(a.v.)

• përkthimi është përmbledhje e artikullit origjinal, të cilin mund ta lexoni këtu.