Shteti Islamik më 3 gusht njoftoi se lideri i këtij grupi militant, Abu al-Hussein al-Husseini al-Qurashi, është vrarë gjatë përleshjeve në veriperëndim të Sirisë.
Lideri “u vra pas përleshjeve të drejtpërdrejta” me grupin xhihadist Hajat Tahrir al-Sham në provincën Idlib, tha zëdhënësi i IS-it përmes një mesazhi të incizuar, që u postua në Telegram.
Megjithatë, zëdhënësi nuk specifikoi se kur u vra lideri i grupit militant.
IS-i po ashtu njoftoi se Abi Hafsan al-Hashimi al-Qurashi do të jetë lideri i ri i grupit. Ky është lideri i pestë që ky grup militant emëron.
Pas një rritjeje të madhe në Irak dhe Siri më 2014, duke pushtuar territor të madh, IS-i shpalli “kalifat”, por ky kalifat kolapsi pas një vale ofensivash.
Grupi ekstremist u mposht në Irak më 2017 dhe dy vjet më pas në Siri, por celulat e heshtura të grupit ende vazhdojnë të kryejnë sulme në këto dy shtete.
Nëntorin e vitit të kaluar, IS-i tha se lideri paraprak, Abu Hasan al-Hashimi al-Qurashim ishte vrarë.
Paraardhësi i tij, Abu Ibrahim al-Qurashi, u vra shkurtin e vitit të kaluar gjatë një operacioni të Shteteve të Bashkuara në provincën Idlib.
SHIKONI EDHE: SHBA-ja vret liderin e IS-it në Siri“Kalifi” i parë i grupit, Abu Bakr al-Baghdadi, ishte vrarë po ashtu në Idlib në tetor të vitit 2019.