Një grup militant kurd e ka marrë përgjegjësinë të premten për një sulm ndaj selisë së një kompanie të rëndësishme të mbrojtjes në Ankara, ku u vranë së paku pesë njerëz.
Në një komunikatë, krahu ushtarak i Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, PKK, tha se sulmi i 23 tetorit ndaj kompanisë së mbrojtjes dhe hapësirës ajrore të Turqisë, TUSAS, u krye nga dy anëtarë të saj, si përgjigje ndaj “masakrave” të Turqisë dhe veprimeve të tjera të saj në rajonet kurde.
SHIKONI EDHE: Pesë të vrarë, 22 të plagosur në një sulm në kompaninë turke të mbrojtjes në AnkaraNjë burrë dhe një grua iu sulën selisë së TUSAS-it në periferi të Ankarasë, duke hedhur mjete shpërthyese dhe duke shtënë me armë. Katër punonjës të TUSAS u vranë atje. Sulmuesit kishin mbërritur në vendin e ngjarjes me një taksi, pasi e kishin vrarë shoferin e tij.
Gjatë të shtënave me forcat e sigurisë u vranë edhe dy sulmuesit, ndërsa u plagosën më shumë se 20 njerëz të tjerë.
Turqia e fajësoi PKK-së për këtë sulm dhe menjëherë filloi t’i bombardojë objektet dhe lokacionet që dyshohet se përdoren nga grupi militant në veri të Irakut, apo nga bashkëpunëtorët e tij në veri të Sirisë.
PKK-ja cilësohet grup terrorist nga Turqia dhe nga aleatët e vet perëndimorë.