Austin: 20 shtete janë zotuar për ndihmë të re ushtarake për Ukrainën

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, gjatë takimit virtual për Ukrainën. 23 maj 2022.

Njëzetë shtete janë zotuar për ndihmë të re ushtarake për Ukrainën në luftën e saj kundër pushtimit rus, tha sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, më 23 maj, pas takimit të dytë të Grupit të Kontaktit për Ukrainën.

Në këtë takim virutal, në mesin e shteteve pjesëmarrëse ishte edhe Kosova. Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, tha se në këtë takim rikthesoi përkrahjen e Kosovës për Ukrainën dhe tha se “që nga 24 shkurti, ne e kemi të qartë se Rusia përbën rrezik permanent për shtetet fqinje të saj, por edhe për sigurinë dhe stabilitetin në botë”.

Po ashtu Mehaj tha se në takim ka theksuar gatishmërinë e Kosovës për të strehuar refugjatë dhe gazetarë ukrainas "të cilët janë të rrezikuar çdo ditë nga agresori rus", u tha në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Danimarka është pajtuar që t’i ofrojë Ukrainës granatahedhës Harpoon dhe raketa për “t’i ndihmuar Ukrainës që ta mbrojë vijën e saj bregdetare”, tha Austin gjatë një konference për media pas kësaj mbledhjeje virtuale.

Republika Çeke po ashtu është pajtuar që të dërgojë “mbështetje thelbësore” për Ukrianën, përfshirë edhe “donacionin e fundit të helikopterëve sulmues, tankeve dhe sistemeve raketore”, shtoi Austin.

SHIKONI EDHE: Kuleba takohet me Blinkenin, bisedojnë për ndihmën e re amerikane

Në përgjithësi, 20 shtete “njoftuan për paketat e reja të mbështetjes së sigurisë”, tha Austin, përfshirë edhe “dhurimin e municionit të artilerisë që është aq i nevojshëm, sistemeve të mbrojtjes detare, tankeve dhe makinave të tjera të blinduara”.

“Të tjerët njoftuan për zotimet që të trajnojnë forcat e Ukrainës dhe ruajtjen e sistemeve të saj ushtarake”, shtoi sekretari Austin.

Në këtë takim, që u kryesua nga shefi i shtabit të ushtrisë amerikane, gjenerali Mark Milley, morën pjesë 47 shtete.

Pjesëmarrësit u informuan nga ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Oleksiy Reznikov, lidhur me situatën aktuale të luftës tremujore.

“Sot, së bashku me ministrin Reznikov dhe ekipin e tij, ne mësuam për kërkesat prioritare të Ukrainës dhe situatën në fushëbetejë”, tha Austin.

Që prej takimit të parë të grupit në bazën ushtarake amerikane në Gjermani, takim që u mbajt katër javë më parë, Austin tha se “momentumi i donacioneve dhe dërgesave është i jashtëzakonshëm”.

Ai tha se nevojat e Ukrainës nuk kanë ndryshuar shumë nga takimi i parë, duke thënë se kërkohen artileri, tanke mbështetëse, dronë dhe pajisje të tjera.

“Lufta në këtë fazë po formësohet nga artileria, dhe ne kemi parë shkëmbime të ashpra të artilerisë gjatë javëve të fundit”, tha Austin.

Ai shtoi se Grupi i Kontaktit do të takohet fizikisht më 15 qershor, gjatë takimit të ministrave të NATO-s në Bruksel.