Ndihma për Ukrainën në vend të luleve për 8 Mars

Qytetarët ukrainas që jetojnë në Maqedoninë e Veriut duke protestuar kundër sulmeve ushtarake të Rusisë në Ukrainë - Shkup më 25 shkurt 2022.

Ukrainasja Tamila Vellkovska, e cila qe më shumë se dy dekada jeton në Maqedoninë e Veriut, thotë se ky 8 Mars, Dita Ndërkombëtare e Gruas - ditë kjo që përkujton lëvizjen për të drejtat e grave - e gjen duke zhvilluar betejën më të vështirë në jetën e saj. Ajo është duke mbledhur ndihmë humanitare në Shkup për të gjithë ata që janë prekur nga lufta në vendlindjen e saj, Ukrainë, pa dallim gjinie.

“Gjithmonë për ne gratë që vijmë nga shtetet e ish-Bashkimit Sovjetik, 8 Marsi ishte ditë e rëndësishme, ditë jo pune. Por, sot unë e harrova këtë datë. Jam në vlugun e punës për të mbledhur ndihma, për të lehtësuar sadopak ballafaqimin me vështirësitë e shumta që kanë bashkëkombasit e mi. Ne i nisim ndihmat në kufirin me Ukrainën dhe ato shpërndahen nga organizatat vendase atje ku ka nevojë”, thotë ajo.

Tamila Vellkovska, përfaqësuese e komunitetit ukrainas në Shkup.

Vellkovska tregon se për çdo ditë pranon thirrje për ndihmë nga gratë që janë larguar nga zonat e luftës, gjatë rrugëtimit të tyre drejt një destinacioni më të sigurt.

"Veçanërisht gratë janë para një sfide të madhe, sepse janë larguar nga shtëpia pa ditur se ku do të shkojnë”, thotë Vellkovska, e cila ndër tjerash tregon se edhe babai i saj tashmë 70-vjeçar ka mbetur në zonën e luftës në mbrojtje të atdheut.

Nga ana tjetër, organizatat që në fokus kanë mbrojtjen e të drejtave të grave thonë për Radion Evropa e Lirë se i gjithë fokusi mbetet në mbrojtjen ndaj çdo rreziku për abuzim ndaj grave refugjate.

“Viktima më të shpeshta në luftë janë gratë në kuptimin që ka përdhunime të shumta, dhe ne jemi të vetëdijshëm për këtë pasi lufta në Kosovë është e freskët dhe e kemi përjetuar nga rrëfimet e refugjatëve që erdhën te ne nga ky vend dhe më e keqja akoma përdhunimet vazhdojnë të mos njihen si krime në Kosovë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Rita Beadini nga Qendra për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja”.

SHIKONI EDHE: Rrëfimet e grave që u detyruan të largohen nga Ukraina

“I gjithë fokusi është vendosur në mënyrën se si trajtohen gratë (ukrainase) në këtë moment. Sfidat, me të cilat ballafaqohen gjatë rutinës ditore është një çështje shumë e rëndësishme pasi në një mënyrë ose tjetër çdo goditje ndaj tyre do të këtë pasoja afatgjate”, shtoi ajo.

Edhe Maja Moraçanin, deputete dhe drejtuese e Partisë së të Gjelbërve, Ripërtëritja Demokratike e Maqedonisë, e cila krahas ambientit në fokus ka edhe mbrojtjen e grupeve të margjinalizuara thotë se prania e grave në pozitat vendimmarrëse në këtë situatë është më se e domosdoshme pasi ato me ndjeshmërinë e tyre arrijnë të gjejnë zgjidhje që do të jenë më pak të dhimbshme për të gjitha palët.

“Kontributi i grave në situata të këtilla konfliktuoze është shumë i madh, andaj bëjmë thirrje që ato të përfshihen sa më shumë. Atë që të gjithë ne këtu mund ta bëjmë për t’u dalë në ndihmë qytetarëve në Ukrainë, përfshirë këtu gratë, është të bëhemi sa më humanitare dhe solidare duke dhuruar ndihma të natyrave të ndryshme”, thotë Moraçanin.