Gruevski paralajmëron dorëheqje nga kreu i VMRO-DPMNE-së

Nikolla Gruevski

Pas dorëheqjes së paralajmëruar nga lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, Komiteti i Përgjithshëm i kësaj partie ka propozuar mbajtjen e Kongresit të jashtëzakonshëm më 23 dhjetor të këtij viti.

Në Kongresin e jashtëzakonshëm të dhjetorit pritet të shqyrtohet dorëheqja e paralajmëruar e liderit të partisë, Nikolla Gruevski.

Ndryshe, Nikolla Gruevski në një intervistë për “Kurir” gjatë fundjavës tha se shpreson që dorëheqja e tij si kryetar i partisë maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE-së do të ndihmojë në zgjidhjen e kizës aktuale politike.

Njëherësh, paralajmërimi i Nikolla Gruevskit se pas 15 vjetësh planifikon të tërhiqet nga posti i kryetarit të partisë, ka shtuar ambiciet e personaliteteve të caktuara të VMRO-DPMNE-së për të marrë në dorë drejtimin e partisë.

Megjithatë, ende ka shumë dilema se dorëheqja e tij do të realizohet.

Mitko Gaxhovski nga Fakulteti i Shkencave Politike thotë se kryesia e partisë mund të mos e pranojë dorëheqjen e Gruevskit dhe ai të mbetet edhe më tej në krye të saj.

“Mendoj se një nga skenarët e mundshëm është që të mos pranohet dorëheqja e Gruevskit për t’u larguar nga kreu i partisë dhe me këtë të demonstrohet në opinion se VMRO-DPMNE qëndron pas tij si lider”, thotë Gaxhovski.

Por, një mendim ndryshe shpreh Alajdin Demiri njohës i çështjeve politike, duke theksuar se ulja e Nikolla Guevskit në bankën e të akuzuarve në gjykatë për më shumë vepra penale, ka ndikuar që vet anëtarësia e VMRO-DPMNE-së të drejtojë gishtin kah ai si fajtorë për çuarjen e partisë në opozitë.

“Duhet theksuar se Nikolla Gruevski në llogari të VMRO-DPMNE-së nuk ka bërë gabime politike. Ai ka qenë në vija të VMRO-së dhe nacionalizmit të tij, mirëpo ka bërë shumë gabime në menaxhimin e partisë, keqmenaxhimin e shtetit, krijimin e një strumbullari të krimit në listën udhëheqëse të partisë, dhe kjo është arsyeja se pse Gruevski detyrohet të largohet nga drejtimi i partisë”, thekson Demiri.

Ndërkohë nismëtarët për reforma në VMRO-DPMNE, të cilët në vazhdimësi kanë kërkuar largimin e Nikolla Gruevskit nga kreu i partisë, thonë se me prioritet është të reformohet partia në plan të brendshëm dhe të miratohet një statut i ri që do të mundësojë demokratizimin e partisë, dhe pastaj në një frymë demokratike të krijuar brenda partisë të zgjidhet njeriu që do të ketë afinitete reformuese që ta rikthejë partinë në pushtet.