Ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski paraburgosjen e tre deputetëve të partisë së tij dhe masën e arrestit shtëpiak për tre të tjerë, e ka krahasuar me periudhën e vitit 1949, kur sipas tij, regjimi komunist arrestonte patriotët maqedonas që luftonin për pavarësi.
Gruevski tha se arrestimet po dëshmojnë instalimin në vend të një regjimi të ri duke rrënuar sipas tij parimet themelore të demokracisë dhe të sundimit të së drejtës. Ai kërkoi nga institucionet që t'i japin fund ndjekjes së anëtarëve të partisë së tij, por edhe të gjithë atyre që nuk mendojnë njëjtë si pushteti aktual.
“Kjo që po ndodhë nuk është gjë tjetër pos regjim. Këtë nuk mund ta gjeni në shtetet demokratike. I bëjë thirrje Prokurorisë dhe gjyqësisë, para se gjithash Qeverisë, që të mos bëjë punë të këtilla. Partia e cila deri dje nuk hiqte nga goja fjalën regjim, tani paraqitet si regjim. Kjo nuk ka ndodhur as në vitin 1949. Kjo sjellje dhe këto masa ndaj deputetët nuk janë të parë askund”, ka deklaruar Gruevski duke komentuar paraburgosjen e deputetëve të partisë së tij, të akuzuar për ngjarjet e dhunshme në Kuvendin e Maqedonisë, më 27 prill të këtij viti.
Ndërkohë, organet drejtuese të VMRO-së, pritet të marrin edhe vendimin përfundimtar lidhur me veprimin e mëtejmë në institucione. Nuk përjashtohet mundësia e bojkotit të Kuvendit, që tanimë ka nisur në komisione, ndërsa deputetët e saj nuk ishin as në seancës kur shumica parlamentare votoi për heqjen e imunitetit deputetëve të akuzuar për dhunën në Kuvend. Kjo u bë e ditur edhe nga anëtari i kryesisë Alekandar Nikollovski, në një nga protestat që po organizohen në Shkup. Ai tha se shumica nuk mund të pres në mbështetjen e opozitës edhe për reformat që duhet të miratohen me konsensus të gjerë.
“Kjo sjellje çon drejt polarizimit dhe radikalizmit në Maqedoni. Pas këtij hapi të ndërmarrë, dialogu politik në Kuvend bëhet i pamundur. Do të jetë e pamundur të votohet për ligje, agjenda evropiane, buxheti, reformat e kështu me radhë”, ka deklaruar Nikollovski.
Duke komentuar akuzat e VMRO-së, nga Lidhja Social Demokrate shkurt kanë theksuar se “Gruevski dhe partia e tij më së paku kanë të drejt të akuzojnë për regjim, duke e ditur se pikërisht ai me bashkëpunëtorët e tij gjatë qeverisjes së tij dhjetëvjeçare, ka rrënuar gjithçka në shtet e që dëshmohen qartë nga bisedat e përgjuara telefonike. Për krimet e bërë duhet të ketë përgjegjësi dhe për këtë do të vendosin organet gjyqësore pa asnjë ndikim politik”.
Përgjegjësi bazuar në sundimin e së drejtës dhe respektimin e prezumimit të pafajësisë kanë kërkuar edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë në vend.
Gjatë deputetët e VMRO-së, tre prej të cilëve janë dërguar në paraburgim, ndërsa tre të tjerë në arrest shtëpiak, ngarkohen me veprën “rrezikim terrorist të rendi kushtetues dhe të sigurisë”.
Ata i takojnë grupit prej 36 personave, ku bënë pjesë edhe ish-ministri i Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov, të cilët më 27 prill, në forma të ndryshme kanë mundësuar depërtimin e protestuesve të Kuvend, ditën e zgjedhjes së kryeparlamentarit, Talat Xhaferi, ku janë sulmuar fizikisht deputetët e opozitës së atëhershme, dy prej të cilëve, Zijadin Sela dhe Zoran Zaev kishin pësuar lëndime të rënda.