Gruevski jep dorëheqje nga mandati i deputetit në Maqedoninë e Veriut

Nikolla Gruevski

Ish kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski ka dhënë dorëheqje nga mandati i deputetit përmes një statusi në profilin e tij në Facebook, duke theksuar se për këtë gjë do ta njoftojë dhe zyrtarisht institucionin ligjvënës.

“Vendosa të tërhiqem nga funksioni parlamentar dhe për të njëjtin vendim formalisht do të informojë Parlamentin në ditët në vijim”, ka shkruar në profilin e tij Gruevski, duke falënderuar “deputetët e VMRO-DPMNE-së, të cilët mbetën besnik ndaj pozitave parimore që janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin ndërkombëtar dhe nuk iu nënshtruan presioneve”.

“Një mirënjohje të veçantë kam për mijëra qytetarë të cilët në mënyra të ndryshme, nëpërmjet kontakteve personale ose përmes rrjeteve sociale në ditët e kaluara, më dhanë mbështetje të madhe, të cilët pavarësisht nga presionet dhe padrejtësitë, përveç gjithë propagandës së rreme dhe rreziqeve personale, kanë treguar se ndjenja e drejtësisë, dhe rebelimi kundër padrejtësisë, mbetet forca udhëheqëse për popullin dhe qytetarët maqedonas”, ka shkruar Gruevski.

Njohësit e çështjeve politike thonë se dorëheqja e Nikolla Gruevskit e çliron partinë dhe krijon mundësi që i gjithë potenciali politik të drejtohet nga kundërshtarët e saj.

“Tërheqja nga mandati i deputetit nga ana e vetë Nikolla Gruevskit paraqet të paktën një grimcë etike që mund të këtë ai. Kjo dorëheqje do ta çlirojë nga barra partinë që e ka drejtuar, përkatësisht do t`ia heq atë njollë të errët që bart partia dhe do të krijojë hapësirë që ish partia që drejtonte të merret më shumë me kundërshtarin politik në pushtet, pra Lidhjen Social-Demokrate, dhe jo të shpenzojë energji duke e mbrojtur atë për krimet e bëra“, thotë për Radion Evropa e Lirë, Xhelal Neziri, njohës i çështjeve politike.

Dorëheqja e Nikolla Gruevskit vjen pas zërave se në parti, përkatësisht në mesin e deputetëve ka çarje rreth asaj se duhet të votohet pro marrjes së mandatit ose jo.

SHIKONI EDHE: Gruevski e Veljanovski, të dyshuar për organizimin e sulmit në Kuvend

​Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, nënkryetari i kësaj partie, Aleksandar Nikollovski, duke mos dashur të hyjë në detaje, shkurt ka thënë se duhet të respektohet vendimi i komitetit si organ më i lartë i partisë.

Ndryshe, institucioni ligjvënës ka caktuar më 7 qershor seancën parlamentare për marrjen e mandatit të deputetit Nikolla Gruevski.

Ish kryeministri i Maqedonisë së Veriut, tanimë për më shumë se gjashtë muaj ndodhet në Hungari ku ka siguruar azil politik.

Ai u largua nga vendi në kohën që duhej të paraqitej në burg për të vuajtur dënimin prej dy vitesh, ndërkohë që në procedurë gjyqësore janë shumë lëndë ku ai akuzohet për vepra kriminale.