"Gruaja, arkitekte e shoqërisë"

Në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë po mbahet edicioni i tretë i Festivalit Multikulturor, i cili mbahet gjatë tri ditëve të ardhshme.

Tema e këtij festivali është: “Gruaja, arkitekte e shoqërisë”. Organizatorët thanë se ky festival ka për qëllim ngritjen e vetëdijes për sfidat që përballen gratë e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

Drejtori ekzekutiv i organizatës “Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve”, Isak Skenderi tha se martesat e hershme janë “kanceri që ushqehet brenda shoqërisë sonë”. Sipas tij, kjo ndodh jo për shkak të prindërimit jo të mirë, por për shkak të diskriminimit institucional.

E pranishme në këtë festival ishte edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ajo tha se gratë në përgjithësi përballen me sfida, por këto sfida janë dyfish më të rënda për gratë dhe vajzat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

Organizatorët thanë se përveç diskriminimit për shkak të përkatësisë së tyre, komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian përballet me një varfëri, që i privon nga mundësitë.

Organizatorët thanë se shoqëria kosovare duhet ta pranojë konceptin e multikulturalizmit dhe barazisë si një proces të natyrshëm, që sipas tyre, do ta pasuronte edhe më shumë shoqërinë.

Shkollimi dhe emancipimi i gruas, sipas pjesëmarrësve në këtë festival, ndikon në demokratizimin e familjes dhe shoqërisë së Kosovës.

Në këtë festival u ekspozuan edhe disa punime artistike, ku fokusi ishte te gruaja.

Të pranishmit në këtë festival, ku kishte edhe ambasadorë nga shtetet e akredituara në Kosovë, theksuan se pandemia COVID-19, ka goditur pozitën e grave, duke theksuar se gratë dhe vajzat kanë qenë cak i dhunës në familje.

Festivali Multikulturor mbahet nga 2 deri më 4 qershor. Ky është edicioni i dytë që mbahet në pandemi.