Grindjet Trump-Biden çojnë në ndryshim rregullash

Debati i parë presidencial Trump-Biden

Organizatori i debateve presidenciale në Shtetet e Bashkuara tha se ngjarja kaotike televizive e 29 shtatorit "e bëri të qartë" se është e nevojshme një "strukturë shtesë", për të siguruar një "diskutim më të rregullt" të çështjeve, me të cilat përballen votuesit amerikanë.

Komisioni për Debatet Presidenciale tha përmes një deklarate se do të dalë së shpejti me masa, që “do ta mbajnë rendin” në debatet e mbetura.

Ka sugjerime se moderatorët mund të kenë fuqinë për t’ia fikur përkohësisht mikrofonin një kandidati.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe kandidati demokrat në zgjedhjet e nëntorit, Joe Biden, zhvilluan të martën debatin e parë televiziv.

Debati prej 90 minutash ishte i mbushur me grindje verbale, ofendime dhe ndërprerje, që mbytën çdo diskutim real të çështjeve.

SHIKONI EDHE: Debati Trump-Biden: Retorikë e zjarrtë dhe sulme personale nga fillimi deri në fund

Pjesa më e madhe e britmave dhe ndërprerjeve ishte nga Trump, ndërsa moderatori Chris Wallace, nga Fox News, e luste që të mos e ndërpriste, duke e kujtuar se fushata e tij ishte dakord me rregullat.

Biden e quajti Trumpin gënjeshtar, klloun, "këlysh të Putinit", ndërsa në një moment u përplas me presidentin për ndërprerjet e vazhdueshme, duke i thënë: "A do të heshtësh, o burrë?"

Debati përfshiu një sërë temash, nga pandemia e koronavirusit e emërimi i një gjykatëseje të re të Gjykatës Supreme deri te rendi dhe marrëdhëniet racore - por shumë amerikanë mezi kanë mundur ta ndiqnin atë mes të gjitha shpërthimeve dhe britmave.

Një sondazh i televizionit CBS News me votuesit e mundshëm që panë debatin, zbuloi se 69 për qind mbetën “të mërzitur” nga ai, 31 për qind “u argëtuan”, 19 për qind dolën “pesimistë” dhe vetëm 17 për qind “u informuan”.

Your browser doesn’t support HTML5

Trump, Biden përplasen në debatin e parë kaotik

Në një tubim fushate të mërkurën, Biden tha se ai shpreson se organizatorët e debateve të ardhshme do të jenë në gjendje ta fikin mikrofonin e kandidatit, i cili nuk flet.

"Ka qenë një siklet kombëtar", tha Biden për debatin dhe performancën e Trumpit. "Unë nuk do të spekuloj se çfarë do të ndodhë në debatin e dytë ose të tretë", shtoi ai.

Trump e shpalli veten fitues dhe tha se debati ishte "i shkëlqyeshëm".

"Morëm vlerësime të jashtëzakonshme", u tha Trump gazetarëve, duke e cilësuar atë si një "mbrëmje gjallëruese".

“Shoh se vlerësimet ishin shumë të larta dhe ishte mirë që isha atje", tha Trump.

Sipas kompanisë së të dhënave Nielsen, rreth 73.1 milionë njerëz në Shtetet e Bashkuara e ndoqën debatin e parë.

Zgjedhjet presidenciale në SHBA mbahen më 3 nëntor.

Sipas një mostre të CBS News, 48 për qind e votuesve të mundshëm thanë se Biden e fitoi debatin, ndërsa 41 për qind të tjerë thanë ai u fitua nga Trump. Këta numra korrespondojnë afërsisht me rezultatet që tregojnë kandidatët në sondazhet kombëtare.

Më shumë se 8 në 10 votues që e panë debatin, e përshkruan tonin aty si negativ, tha kanali televiziv amerikan CBS.

SHIKONI EDHE: Republikanët sigurojnë votuesit amerikanë për tranzicion paqësor të pushtetit 

Debatet e ardhshme presidenciale janë planifikuar për 15 tetor dhe 22 tetor.

Nënpresidenti Mike Pence dhe seenatorja Kamala Harris - e emëruar për nënpresidente të ardhshme nga Biden - do ta mbajnë debatin e tyre më 7 tetor.

Përgatiti: Valona Tela