Greva vë në rrezik regjistrimin në universitete

Njoftimi për grevë në një shkollë fillore në Shkup, 11 prill, 2022.

Eva Stojanova, nga qyteti i Velesit, është njëra nga rreth 15 mijë nxënësit që këtë vit përfundojnë shkollimin e mesëm në Maqedoninë e Veriut, por, për shkak të grevës në arsim, e cila tashmë ka hyrë në javën e tretë, ajo është e shqetësuar nëse do të arrijë t’i japë me kohë provimet e maturës.

Sikur mësimi të mos ndërpritej, nxënësit që përfundojnë arsimin e mesëm, do t’iu nënshtroheshin provimeve të maturës më 4 dhe 13 qershor, por institucionet përkatëse kanë thënë se provimet mund të shtyhen, për shkak të humbjes së mësimit.

Eva thotë se nëse kjo ndodh, nxënësit që duan të aplikojnë për t’u regjistruar në ndonjë universitet jashtë vendit, do të përballen veçanërisht me probleme.

“Na ka kapur paniku, pasi tani jemi para provimeve të maturës dhe kemi ngecur në përgatitjet që duhet të bëhen. Nëse shtyhet viti shkollor, për shkak të grevës, atëherë edhe provimet e maturës do të shtyhen për të paktën dy javë. Kjo do të thotë humbje, në veçanti për nxënësit që planifikojnë të regjistrohen jashtë vendit, për shkak të procedurave dhe dokumentacionit që duhet të bëjnë gati”, thotë Eva.

SHIKONI EDHE: Punonjësit e arsimit nuk zmbrapsen nga greva

Sindikata e Arsimit e Maqedonisë së Veriut, pas bisedimeve me Qeverinë, të hënën pasdite, 25 prill, njoftoi për arritjen e një marrëveshjeje, e cila duhet të miratohet të martën nga organet drejtuese të Sindikatës.

“Pas më shumë se tre orësh, do të thosha, negociata të vështira, të mundimshme me ministrin e Arsimit dhe Shkencës dhe ministrin e Punës dhe Politikës Sociale, natyrisht dhe me kryeministrin, ne bëmë një analizë serioze të kërkesave tona të paraqitura, u pajtuam me qëndrimet, brenda mundësive të shtetit dhe arritëm në një përqindje të përbashkët të rritjes së pagave, e cila do të ndodhte më së voni deri në korrik. Është një rritje 12 për qind e pagave, plus shtesat që pasojnë me kontratën kolektive”, ka deklaruar kryetari i sindikatës, Jakim Nedelkobv.

Në rast se organet drejtuese të Sindikatës e pranojnë marrëveshjen, atëherë nga dita e mërkurë nxënësit i rikthehen procesit mësimor sikurse edhe fëmijët nëpër kopshte.

Kërkesat e sindikatës janë mbështetur edhe nga Konfederata Evropiane e Sindikatës së Arsimit. Drejtorja e kësaj konfederate, Susan Floken, tha se “kërkesat e sindikatës janë të qëndrueshme”, andaj i bëri thirrje Qeverisë që “t’i pranojë për të mirën e arsimit në vend”.

Lidhja Social Demokrate, e cila është pjesë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, kërkoi nga Sindikata e Arsimit që të heqë dorë nga, siç tha, shantazhet, dhe t’iu mundësojë nxënësve që të kthehen në shkolla.

“E drejta për arsim është e garantuar me Kushtetutë, ashtu sikur edhe e drejta e grevës, por greva nuk duhet të jetë në dëm të fëmijëve dhe nxënësve dhe prindërit e tyre të mbahen pezull”, tha Sanela Shkriel nga kjo parti.

Ajo tha se sindikata duhet t’i bisedojë kërkesat e saj me institucionet kompetente, ndërkohë që nxënësit vazhdojnë mësimet.

SHIKONI EDHE: Greva në arsim dhe kopshte “mobilizon” gjyshërit

Në Maqedoninë e Veriut, në arsimin fillor janë të punësuar rreth 20,000 mësimdhënës, ndërsa rreth 8,000 janë në arsimin e mesëm dhe mbi 5,000 në kopshte.

Paga mesatare e arsimtarëve në sistemin parashkollor dhe fillor sillet në rreth 21,600 denarë (350 euro), ndërsa në arsimin e mesëm 22,500 denarë (365 euro).

Sindikata kërkon fillimisht një rritje prej 18.4 për qind, si dhe zbatimin e marrëveshjes kolektive që garanton paga dyfish më të larta, por Qeveria ka pranuar një rritje prej 10 për qind, ndërsa për kërkesat tjera ka thënë se duhet të bisedohet më vonë.