Rreth 100 mijë të punësuar në organet e administratës shtetërore në Maqedoninë e Veriut, të mërkurën janë hedhur në grevë të përgjithshme për paga më të larta. Të punësuarit në të gjitha ministritë, drejtoritë, fondet, administratën gjyqësore, kadastër, spitale, në pushtetin lokal dhe organe tjera shtetërore kërkojnë rritje të pagës prej 2,806 denarë apo rreth 45 euro, ashtu siç ishte premtuar, sipas sindikatës, nga ana e qeverisë disa muaj më pare, se nga 1 korriku do të ketë rritje lineare të pagave.
Të punësuarit të këto organe shtetërore thonë se kriza ekonomike ka përkeqësuar gjendjen e tyre ekonomike dhe sociale, gjë që i ka detyruar të hynë në grevë të përgjithshme.
“Konsiderojmë se një rritje e përgjithshme e pagave do të ishte shumë e rëndësishme për të gjithë të punësuarit pasi po përballemi me krizë të thellë, me vështirësi të shumta për sigurimin e një jetë normale në kohën kur kemi rritje të përditshme të çmimeve”, ka deklaruar Lubisha Karanfilovski, i punësuar në qendrën klinike universitare në Shkup.
Greva do të jetë e përditshme nga ora 10 deri në orën 14. Gjatë kësaj periudhe punonjësit do të jenë në vendet e tyre të punës, por nuk do të ofrojnë shërbime.
SHIKONI EDHE: Maqedoni e Veriut: Qeveria, pa masa kundër shtrenjtimit të produkteve bazëDrejtuesit e Lidhjes së Sindikatës para Kuvendit kishin vendosur 120 karrige, aq sa deputet numëron Kuvendi, duke kërkuar nga ata që të miratojnë një amendament për rritjen e pagave pasi nga qeveria thonë se “ndjehen të mashtruar”.
“Ne ndjehemi të mashtruar dhe të manipuluar. Pas gjithë krizës së rëndë ekonomike, inflacionit dyshifror, rritjes së çmimeve, krizës energjetike, mos mbajtjes së premtimit nga qeveria për rritjen e pagave, nuk na mbetet gjë tjetër veçse të hidhemi në grevë të përgjithshme. I ftojmë të gjithë deputetët që të na japin mbështetje, jo kryesisë së sindikatës, por punëtorët të cilët mezi po arrijnë të mbijetojmë me pagat që marrin”, ka deklaruar Darko Dimovski, kryetar i Lidhjes së Sindikatave.
Të punësuarit në institucionet shtetërore marrin paga mujore që variojnë mes 350 deri 400 euro. Rroga minimale në Maqedoninë e Veriut arrin në 300 euro ndërsa paga mesatare në rreth 500 euro.
Qeveria ka thënë se greva është e drejtë e garantuar kushtetuese, por se për momentin nuk ka ende një marrëveshje me sindikatën për gjetjen e një zgjidhjeje afatgjate për rritjen e vazhdueshme të pagave.
Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi thotë se është për rritjen e pagave në të gjithë sektorët, por së pari, sipas tij duhet të ketë një metodologji dhe studim i mirëfilltë mbi rritjen e tyre.
“Ne kemi vullnet për të gjetur një zgjidhje, por ajo duhet të jetë një zgjidhje sistematike e qëndrueshme për të gjitha palët, dhe jo një zgjidhje ‘ad hoc’ që mund ta zgjidhë problemin vetëm në dukje, dhe të përsëritet vitin e ardhshëm. Konsideroj se duhet të kemi një metodologji për rritjen e pagave. Ne besojmë se gjatë fazës së debatit greva nuk duhet të bëhet, por është e drejtë demokratike e secilës palë të vendosë nëse do të pranojë bisedimet apo nëse do të hidhet në grevë”, ka deklaruar Bytyqi.
SHIKONI EDHE: Bujqit maqedonas kërkojnë rregullimin e çmimit të gruritPor, pavarësisht kësaj nga sindikata thonë se anëtarët e saj janë kërcënuar se do të marrim mëditje më të ulëta për aq kohë sa do të jenë në grevë.
“Gjithkund ku do të ketë presione ndaj grevistëve ne do t’i regjistrojmë dhe publikisht do të dalim me të dhënat se kush kërcënon”, ka deklaruar kryetari i sindikatës, Darko Dimovski.
Greva e punonjësve të administratës shtetërore vjen pas grevës së punonjësve të arsimit dhe të kopshteve në muajin maj, gjithashtu për rritje pagash. Sindikatat kanë paralajmëruar edhe masa tjera, përfshirë edhe protestat në rrugë nëse institucionet refuzojnë kërkesat e tyre.