Vazhdon evakuimi i turistëve dhe vendësve mes luftës me zjarret në ishujt grekë
Rreth 2.400 vizitorë dhe vendës janë evakuuar nga Korfuzi, nga e diela deri të hënën, ka bërë të ditur një zëdhënës i shërbimit të zjarrfikësve, duke shtuar se largimet janë bërë si masë kujdesi.
Greqia është kapluar nga një valë e gjatë e të nxehtit ekstrem, e cila ka shtuar rreziqet nga zjarret dhe i ka lënë vizitorët të bllokuar në kulmin e sezonit turistik.
Kelly Squirrel, administratore transporti nga Britania e Madhe, ka thënë se policia i kishte urdhëruar njerëzit nga hoteli i saj në Rodos që të evakuoheshin.
“Na është dashur të ecim”, ka thënë ajo për AFP-në në aeroportin ndërkombëtar. “Kemi ecur për rreth gjashtë orë në të nxehtë”, ka treguar Squirrel.
Rodosi, i cili ka regjistruar mbi 2.5 milionë vizitorë më 2022, është njëri ndër vendpushimet më të popullarizuara në Greqi.
Rreth 30.000 njerëz kanë ikur nga flakët në Rodos gjatë fundjavës, në evakuimin më të madh ndonjëherë nga zjarret në Greqi.
Policia ka thënë se autoritetet kanë transportuar 16.000 persona përmes rrugëve tokësore, dhe se kanë evakuuar rreth 3.000 të tjerë përmes detit.
Të tjerët është dashur të ikin vetë, pasi ishin urdhëruar të largoheshin nga zona.
Turistët dhe banorët kanë kaluar netët në palestra, shkolla dhe qendra konferencash në hotele në ishull.
Disa kompani udhëtimesh i kanë pezulluar fluturimet turistike drejt Rodosit, por u kanë dalë në ndihmë të huajve për t’i kthyer në shtëpi.
“Është situatë e paprecedentë për ishullin”, ka thënë Panagiotis Dimelis, kryetar i këshillit të fshatit Arkangelos, në një prononcim për Skai TV, duke shtuar se shumë banorë kanë nxituar t’i shpëtojnë turistët.
Në Athinë, ministria e Jashtme ka thënë se ka ngritur një njësit për menaxhim krize për të lehtësuar evakuimin e qytetarëve të huaj në Greqi, për shkak të zjarreve të vazhdueshme pyjore.
Ekipe të ndryshme po luftojnë me zjarre në disa pjesë të Greqisë që rreth një javë, ndërsa zjarrfikësit janë munduar të shuajnë flakët në Rodos përmes aeroplanëve, që nga agimi i së hënës.
Sipas autoriteteve, shumë rajone të vendit janë nën rrezik të lartë nga zjarret pyjore të hënën, por asnjë prej vendbanimeve nuk është kërcënuar drejtpërdrejt nga flakët në natën e së hënës, ka thënë shërbimi i zjarrfikësve për AFP-në.
Sikurse çdo verë, Greqia goditet nga zjarret pyjore, të cilat shpesh janë vdekjeprurëse, dhe shkatërrojnë dhjetëra mijëra hektarë pyje.
Këtë verë, vendi ka përjetuar një ndër valët më të gjata të të nxehtit në vitet e fundit, sipas ekspertëve, teksa temperaturat kanë arritur deri në 45 gradë celsius gjatë fundjavës.
Presidenca greke ka thënë se plani që e hëna të shpallet festë kombëtare, tani është anuluar, si pasojë e “kushteve të jashtëzakonshme në shtet, për shkak të zjarreve”.