Greqia po lufton me zjarret në Athinë

Foto nga zjarret në Athinë në vitin 2021.

Zjarrfikësit grekë të dielën po luftonin me një zjarr për të dytën ditë pranë dy periferive të Athinës.

Mediat lokale raportuan disa dëme në shtëpi si dhe automjete, me 65 makina zjarrfikëse dhe 283 zjarrfikës që ende operojnë në zonë.

Autoritetet greke urdhëruan të shtunën evakuimin e pjesëve të periferive jugore të Athinës të Voula dhe Glyfada si një masë paraprake kur erërat e forta ndezën flakët dhe kërcënuan zonat e banuara.

Tymi i zi i dendur nga zjarri mund të shihej deri në Pire, rreth 20 kilometra larg.

Zyrtarët mbrojtën reagimin e shtetit ndaj zjarrit, duke thënë se ai ishte i menjëhershëm, por pengohej nga terreni malor, erërat e forta të cilat herë pas here arrinin fuqi të stuhishme dhe fakti se kishte tre zjarre të veçanta që shpërthyen pothuajse në të njëjtën kohë.

Zjarri filloi në orët e para të pasdites të së shtunës. Sipas zëvendësministrit të Krizave Klimatike dhe Mbrojtjes Civile, Evangelos Tournas, makinat e para të zjarrfikësve ishin në vend 12 minuta pas dhënies së alarmit dhe, tetë minuta më vonë, avionët dhe helikopterët zjarrfikës, gjithsej 17, u ngritën për t'u bashkuar me përpjekjet.

"Megjithë përpjekjet e mëdha kolektive, pati dëme të kufizuara në disa shtëpi ... por ne shmangëm lëndimet ose humbjet e jetëve," tha Tournas, duke shtuar se kishte 61 zjarre në të gjithë Greqinë të shtunën.

Moti i nxehtë dhe i thatë, i kombinuar me erërat e forta të shpeshta, e bëjnë Greqinë veçanërisht të prekshme nga zjarret gjatë verës.

Gushtin e kaluar, zjarret shkatërruan gjysmën veriore të ishullit Evia, i dyti më i madh në Greqi.

Të enjten, Komisioni Evropian tha se më shumë se 200 zjarrfikës dhe pajisje teknike të ofruara nga vendet e Bashkimit Evropian do të vendosen së shpejti në Greqi për të mundësuar një reagim të shpejtë ndaj zjarreve të mëdha.

“Ne jemi ende në fillim të verës dhe synimi ynë është të zbusim pasojat e rënda të atyre fenomeneve të reja të shkaktuara nga kriza klimatike”, tha Christos Stylianides, Ministër i Krizave Klimatike dhe Mbrojtjes Civile.

SHIKONI EDHE: “Kriza me klimën” ka qenë mbrapa zjarreve në Greqi