Greqia ua ndalon hyrjen qindra migrantëve

Migrantët në Greqi. Fotografi nga arkivi.

Greqia tha të hënën se ka parandaluar afër 600 migrantë që ta kalojnë Detin Egje dhe të hyjnë në ujërat e saj territoriale nga Turqia. Ky ishte grupi më i madh i migrantëve që kanë tentuar që të hyjnë në Greqi gjatë këtij viti.

Një zëdhënës i rojeve bregdetare greke tha se pesë anije dhe katër varka më të vogla ishin nisur nga bregdeti turk në mëngjesin e sotëm.

“Patrulla greke ishte në gjendje që shumë shpejt të lokalizonte anijet dhe të informonte rojet bregdetare turke”, tha për AFP-në një zëdhënës i rojeve bregdetare greke.

Në deklaratën e rojeve bregdetare të Greqisë u tha se të gjitha anijet me azilkërkues janë kthyer prapa në ujërat turke.

Gjatë këtij vitit, mbi 3,000 azilkërkues kanë arritur në Greqi, përfshirë mbi 1,100 muajin e kaluar, thuhet në të dhënat e Ministrisë greke të Migrimit.

Ndërkaq, sipas statistikave të publikuara në prill, mbi 2,300 azilkërkues janë vendosur në kampet e ishujve grekë Lesbos, Samos, Chios, Kos, Leros – që të gjithë këta ishuj gjenden afër Turqisë.

Greqia vazhdimisht ka akuzuar Turqinë se nuk ndërmerr veprime të mjaftueshme për të parandaluar kontrabanduesit që të transportojnë migranatët me anije dhe varka të pasigurta.